
Natë Champions-i për Barcelonën dhe Bayern Munich, që do të përballen sonte me njëri-tjetrin në “Camp Nou”. Kjo është ndeshja e parë e Grupit E të Ligës së Kampionëve. Një sfidë emocionuese, një klasik evropiane. Në vitin 2020, bavarezët i asgjësuan katalanasit me një rezultat tenistik 8-2, në çerekfinalen e Lisbonës.
"Ka disa lojtarë që vuajtën shumë atë natë. Sonte duhet të shihet si një mundësi për t’iu kundërpërgjigjur Bayernit. Ne mund ta bëjmë këtë, ka të bëjë me kërkimin e formulës së duhur, – tha Ronald Koeman në konferencën për shtyp.
– E dimë që Bayerni është një ekip i madh, madje edhe me cilësi individuale dhe lojtarë plot përvojë. Ka shumë interes për të konkurruar në këtë kompeticion, ne luajmë në shtëpi. Do të përpiqemi të marrim një rezultat të mirë.
E dimë se kemi pasur ndryshime të rëndësishme në ekip, kolaudimi kërkon kohë, por futbolli nuk ta krijon këtë luks. Është një ndeshje interesante, nga e cila mund të nxjerrim përfundime të mira".

Trajneri holandez nuk përjashton asgjë, por nuk ka objektiv fiks: "Nëse arrijmë të fitojmë Ligën e Kampionëve? Është diçka për të cilën nuk mund të përgjigjem. Pas Bayernit mund të bëjmë një bilanc. Është një kundërshtar që kërkon maksimumin. Nëse humbim topa në hapësirat e pasme, bavarezët mund të na bëjnë shumë dëme, sepse janë ekip shumë i shpejtë në kundërsulm".
Bayerni nuk dëshiron të frikësohet nga dëshira e Barçës për hakmarrje të turpërimit 8-2, teksa trajneri Nagelsmann komentoi: "Barcelona me siguri nuk ka më paparashikueshmërinë e kohës kur kishte Messin, por posedon lojtarë të tjerë me rol shumë të rëndësishëm në skuadër, siç është Frenkie De Jong ose Pedri. Ne jemi gati për çdo gjë, nuk mendoj se janë bërë shumë më keq sesa në sezonet e fundit".
Duke u kthyer te 8-2 i vitit 2020, manuel Neuer gjithashtu ndërhyri: "Unë pres një lojë ndryshe nga 8-2 i disa sezoneve më parë. Së pari, sepse jemi ende në fazën e grupeve, pastaj të dyja ekipet kanë ndryshuar. Nuk do të jetë një ndeshje si ajo në Lisbonë. Messi? Do të ketë lojtarë të rinj, që do të duan të testojnë veten, ndaj kemi respekt për ata që do të luajë. Barcelona definitivisht nuk është një ekip i dobët".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





