Transmetuar më 13-09-2021, 08:29

José Mourinho e festoi ndeshjen e tij të 1000-të si trajner në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fakt, Roma arriti t’i imponohej Sassuolos në kohën shtesë, në fund të një sfide të jashtëzakonshme, tepër emocionuese.

Në rastin e golit të dytë dhe të fitores, në minutën e 91-të, trajneri portugez shpërtheu duke vrapuar si ultras i thekur. Duke folur për mikrofonat e DAZN, pas bilbilit të fundit të trefishtë, “Special One” nuk e fshehu kënaqësinë e tij:

"Unë kam gënjyer gjatë tërë javës. U thashë të gjithëve se kjo nuk ishte një ndeshje e veçantë dhe gjithashtu u përpoqa të bindja veten. Në realitet kjo ishte një sfidë e veçantë, një stacion i rëndësishëm për mua, që do ta kujtoj deri në ditën e fundit të jetës sime.

Kjo ishte ndeshja numër 1000 si trajner. Isha i tmerruar ta lidhja këtë kujtim me një humbje, kjo është arsyeja pse gënjeva gjithçka gjatë javës. Sot u ndjeva si një fëmijë 12, 14 apo 16-vjeçar, jo si një 57-vjeçar. Ishte një sfidë që mund të kishte përfunduar edhe 7-7. Kundërshtari mund të kishte fituar 2-1, por ne triumfuam.

Rui Patricio bëri pritje të jashtëzakonshme, ndërsa ne humbëm raste të pastra. Për ata që e panë lojën me sy neutral ishte diçka e jashtëzakonshme, me emocione të jashtëzakonshme. Vrapimi im te goli i El Shaarawy ishte si lumturia e një fëmije që ëndërron të bëjë karrierë”.

Është hera e parë që Mourinho ka arritur t’i fitojë pesë ndeshjet e para zyrtare të sezonit: "Nuk e di. Nuk i ndjek numrat, më thanë disa ndeshje më parë se isha afër 1000. Jam i kënaqur me tri pikët dhe mentalitetin që treguam”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd