Transmetuar më 13-09-2021, 07:38

Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar në Presidencë përbërjen e kabinetit të ri Qeveritar, që pritet të mandatohet së bashku me programin gjatë javës që po vjen dhe më pas të betohet para Ilir Metës.

Presidenca nuk ka humbur kohë dhe i është drejtuar Prokurorisë për të mësuar nëse ndaj ndonjërit prej ministrave të dënuar ka ndonjë proces hetimor të nisur, apo që është në fazë verifikimi për të nisur.

“Presidenti Ilir Meta kërkon të informohet nëse dispononi të dhëna, apo informacione mbi emrat e kandidatëve të propozuar lidhur me procese hetimore, apo penale që janë nisur, apo mund të jenë në fazë vlerësimi për t’u inicuar për secilin prej tyre”, thuhet në shkresën e dorëzuar nga Meta në Prokurori.

Nga lista e ministrave të propozuar nga Rama, vetëm Niko Peleshi i propozuar si ministër Mbrojtje ka një dosje hetimore në Prokurorinë e Tiranës, që në kohën kur ishte ministër Bujqësie. Dosja hedh dyshime ndaj tij për 4600 litra të futura në vendin tonë si helm insektesh, të njohura ndryshe si silikon mix.

I vendosur në lupën e Prokurorisë prej kohës së ish Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, Niko Peleshi duket se i ka shpëtuar drejtësisë për shkak të shkarkimeve të prokurorëve nga vettingu duke sjellë në këtë mënyrë ping pong të dosjes mes prokurorëve. Që prej kohës kur ish prokurorja e shkarkuar Alketa Zifla kërkoi informacion mbi fatin e dosjes, Alket Mersini, prokurori që e hetoi çështjen pati të njëjtin fat, shkarkimin nga drejtësia.Shqip

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd