
"Rikthimi im në Old Trafford ishte vetëm një kujtesë e shkurtër se pse ky stadium njihet si Teatri i Ëndrrave”. Kështu e fillon postimin e gjatë në Instagram Cristiano Ronaldo, pas dopietës ndaj Newcastle në ditën e debutimit të tij (të dytë) me Manchester United. Edhe pse 36 vjeç, portugezi ruan aftësitë e bomberit, shpejtësinë, teknikën dhe klasin e lartë.
"Për mua ka qenë gjithmonë një vend magjik për të marrë gjithçka që dëshiroja. Së bashku me të gjithë shokët e mi të skuadrës dhe mbështetjen fantastike që marrim gjithmonë nga tribunat, ne përballemi me rrugën që na pret me besim dhe optimizëm.
Në fund, të gjithë do të festojmë së bashku. Krenar që jam kthyer te Manchester United dhe që kam luajtur përsëri në Premier League, por mbi të gjitha i lumtur të ndihmoj ekipin”, – lexohet në postimin e Ronaldos.
Sir Alex Ferguson, ndërkohë, konfirmoi se kishte luajtur një rol kyç në kthimin e yllit luzitan në Manchester: "Shumë njerëz bënë pjesën e tyre në kthimin e Ronaldos në Old Trafford. Edhe unë kontribuova, duke ditur se Cristiano vërtet donte të vinte këtu dhe kjo ishte e rëndësishme.
Më shumë se emocionuese do të thosha se për mua është mrekulli ta shoh përsëri te Manchester United. Ishte një lehtësim, sepse nuk mund ta imagjinoja që ai të mbante fanellën e Manchester City. Kjo është arsyeja pse ndërmorëm veprime për të siguruar që ai të vinte këtu.
Klubi e kërkoi, unë fola me Glazers dhe mbyllëm gjithçka. Ronaldo do t’iu japë një dorë të madhe të rinjve të Manchester United, sepse ka përvojën e duhur".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





