Transmetuar më 15-09-2021, 23:42

Letra që do të lexoni më poshtë tregon rastin e një lexueseje, por qartësisht është demonstrim realiteti për shumë nga ne në faza të ndryshme të jetës.

Pyetja: Kam arritur në një pikë në jetën time ku duhet të realizoj angazhimet kryesore që janë të pritshme, si martesa, pasja e një shtëpie dhe fëmijët. E di që këto janë vendimet që formësojnë jetën e shumë prej nesh.

Kohët e fundit kam zgjedhur t’i jap fund një lidhjeje dhe të heq dorë nga blerja e një shtëpie, sepse ndihesha e paaftë për t’u angazhuar me gjithë zemër.

E gjitha që ndodhi me partnerin tim që nga njohja e deri lidhja që pasoi, më duket sikur rrodhën më shumë sepse më detyruan, sesa të emocionohesha dhe të zgjidhja për veten time.

Gjithmonë më duket se dikush tjetër është ai që vendos. Dhe tani jam katandisur që thjesht nuk kam ndonjë dëshirë për asgjë.

Sa më shumë që mendoj për këtë, aq më shumë ndiej se e kam hasur si problem gjatë gjithë jetës sime. Dhe tani jam në dilemën përse duhet të jetoj akoma kur nuk shoh më asgjë për të bërë.

A pres shumë, apo kjo është ajo që është jeta? Çfarë nuk shkon me mua?

Përgjigja e dr. Filipa Perri, sociologe, psikologe, Londër:

Ju pyetët: "Çfarë nuk shkon me mua?"

Nuk më pëlqen kurrë kjo pyetje, preferoj më lirë këtë tjetrën: "Çfarë më ndodhi dhe si mbijetova?"

Dhe përgjigjen po ua jap unë: Dikush apo diçka ju ka vrarë të ardhmen dhe ajo që duhet të bëni tani është që të riktheni shpresën e jo të shtroni të atilla pyetje.

Flisni për përfundimin e një marrëdhënieje të gjatë e të rëndësishme dhe heqjen dorë nga blerja e një shtëpie, por nuk më thoni se si u ndjetë për këto vendime.

Ishte një lehtësim? Apo nuk ndjetë asgjë? Të mungon personi tjetër? Je e trishtuar? Apo e lumtur?

Po pyes gjithashtu nëse dikur, kur keni jetuar me prindërit, mos vallë keni qenë përballë ndonjë trysnie për të zbatuar me rigorozitet një grup rregullash.

A ka ndodhur kështu me ju?

Mos vallë keni qenë shumë vite nën presionin e zbatimit të rregullave të prera dhe fokusi ka qenë vetëm aty, pa pasur mundësi të pyesni veten nëse doni dhe duhet ta bëni?

Mos vallë ju, kurrë nuk keni mësuar të njihni ndjenjat tuaja, por jeni përshtatur për çdo gjë, vetëm sepse "duhet".

Ndonjëherë njerëzit besojnë se ka dy lloje ndjenjash – ato të mbyllurat dhe ato që dalin jashtë kontrollit. Dhe, kur kanë frikë nga kjo e dyta, zgjedhin të parën ose anasjelltas.

Por nuk keni pse të zgjidhni midis kokës dhe zemrës, mund t’i keni të dyja. Edhe mendja mund të dëgjojë zemrën dhe ta marrë atë parasysh kur merrni ose nuk merrni vendime.

Për të zbuluar atë që dëshironi, besoj se do të duhet të bëni një pauzë së menduari duke bërë që truri të ziejë nga gjithfarë gjërash që ju vijnë në kokë dhe hapni zemrën.

Marrja e një vendimi, sidomos kur bëhet fjalë për të ardhmen e jetës si në rastin tuaj, kërkon një logjikë të ftohtë dhe përllogaritje. Nëse ju ndjeheni mirë me partnerin tuaj dhe e shihni si njeriun me të cilin doni të vazhdoni jetën, konsiderojeni.

Kam lexuar dhe rilexuar emailin tuaj dhe më prek në një mënyrë të caktuar. Pyes veten nëse ju në jetën reale, vallë a ka njerëz përreth jushq shqetësohen për mënyrën si po e përballoni të tashmen? A përpiqen t’u mbështesin?

Ndërsa në kokë vijnë mendime për fatin e jetës suaj, ju sugjeroj fort ta doni jetën, ta shijoni atë duke çuar nëpër mend çdo gjë që duhet t’u bëjë të lumtur dhe të niseni drejt atyre gjërave. Eksploroni botën, ka shumë për të parë dhe në një moment do të ktheheni tek jeta juaj e përditshme, më të kthjellët dhe më me këmbë në tokë." /noa.al