Transmetuar më 12-09-2021, 13:24

Ka një vend në botë, ku viti zgjat jo 12 si kudo, por 13 muaj. Është Etiopia dhe ndodhet në Afrikë, një shtet që dikur njihej si Abisinia.

Tani që lexoni këtë shkrim, banorët e Etiopisë po shënojnë fillimin e një viti të ri, me gosti në shumë shtëpi.

Ky vend ka një kalendar unik pasi viti zgjat 13 muaj.

Jo vetëm kaq – kalendari etiopian është gjithashtu shtatë vjet e tetë muaj prapa kalendarit perëndimor, duke e bërë të shtunën e djeshme, fillimin e vitit 2014.

Pra, aktualisht banorët e Etiopisë janë duke jetuar në vitin 2014, citon noa.al një raport të BBC.

Kjo ndodh sepse ky vend llogarit ndryshe vitin e lindjes së Jezu Krishtit.

Kur Kisha Katolike ndryshoi llogaritjen e saj në vitin 500 pas Krishtit, Kisha Ortodokse Etiopiane nuk e bëri.

Pra, viti i ri nis në 11 shtator në kalendarin etiopian, ose 12 shtator në vitet e brishta.

Për etiopianët, mësimi i muajve të vitit nuk është kaq i komplikuar sa në pjesën tjetër të botës. Ne na duhet të kemi në vëmendje se disa muaj janë me 30 ditë, disa të tjerë me 31 dhe njëri, herë 28 e herë 29 ditësh.

Në Etiopi, njerëzit e kanë më të thjeshtë: Tek 12 nga 13 muajt, secili ka 30 ditë dhe i 13 -ti – muaji i fundit i vitit – ka pesë ose gjashtë ditë, në varësi të faktit nëse është një vit i brishtë.

Koha gjithashtu llogaritet ndryshe – me ditën e ndarë në dy pjesë 12 orëshe duke filluar nga ora 06:00, gjë që e bën mesditën dhe mesnatën jo 12 si në tërë botën, por gjashtë në orën etiopiane.

Pra, nëse dikush ju fton të takoheni në Addis Abeba në orën 10 për një filxhan kafe – Etiopia është në fund të fundit vendlindja e kafes arabike – mos u habitni nëse ata ngrihen në orën 16:00 me orën e pjesës tjetër të botës. /noa.al