Transmetuar më 11-09-2021, 21:39

Ditët e fundit konstatohet një rritje e përgjithshme e çmimeve, veçanërisht e produkteve ushqimore. Kështu, mesatarisht një familje shpenzon 82 mijë lekë vetem për konsum. Paga mesatare në Shqipëri sipas INSTAT ka shkuar në 56.710 lekë. Duke marrë shkas nga rritja e fundit e çmimeve për produktet bazë, në krahasim me rrogën mesatare, jetesa e familjeve shqiptare është bërë më e shtrenjtë.

INSTAT shprehet se një familje në Shqipëri në vitin 2019 shpenzonte 41.3% të ardhurave të saj për ushqime dhe pije joalkoolike. Në total shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje, të përbërë mesatarisht nga 4 persona, janë 82.235 lekë.

Një familje në Shqipëri, nëse do marrim rastin, ku dy individë janë të punësuar me rrogë mesatare fitojnë 103.400 lekë. Ndërkohë ata shpenzojnë 82.235 lekë, gjë e cila i lë atyre rreth 21 mijë lekë kursime.

Nëse do marrim edhe statistikat e inflacionit për vitin 2020, çmimet vjetore u rritën përkatësisht me 1.6%, ndërsa këtë vit inflacioni arriti kulmin në gusht me 2.4%. Me një përllogaritje të thjeshtë rritja e çmimeve i shton shpenzimet e një familje në Shqipëri mesatarisht me 9 mijë lekë të reja, duke e dërguar totalin në 91 200 lekë. Pra me rrogat mesatare të sotme familjet shqiptare e kanë të vështirë të kursejnë edhe 10 mijë lekë.

Ky diskutim vlen për familjet me rroga mesatare, ndërsa ata me rroga minimale të cilët marrin në total 80 000 lekë i duhet të ndërpresin disa shpenzime mujore për të përmbushur nevojat bazike.

2021 ka sjellë edhe rritjen e çmimeve për të gjitha produktet bazë, për shkak të mungesave në tregun ndërkombëtar, gjë e cila pritet ta bëjë edhe më të vështirë për një familje në Shqipëri që të kursejë para. Tch