Transmetuar më 11-09-2021, 08:20

Një tjetër rekord për Leo Messin, këtë herë me Argjentinën. Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” vendosi firmën mbi suksesin kundër Bolivisë, duke shënuar një “hat-trick” që do të mbetet në histori.

Përse? Sepse me këto tre gola tejkaloi një legjendë si Pele në renditjen e golashënuesve më të mirë të kombëtareve të Amerikës së Jugut. Kapiteni i Albiceleste arriti në kuotën e 79 gola, përkundrejt mitit të gjallë të Brazilit.

Duhet të theksohet se ndeshja midis Argjentinës dhe Bolivisë u luajt në Buenos Aires para 20 mijë spektatorëve, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, duke u dhënë kështu lojtarëve mundësinë për të festuar me tifozët e tyre triumfin e kësaj vere në “Copa America”.

"Unë e kam pritur këtë sukses për një kohë të gjatë. E kam kërkuar shumë kohë më parë, e ëndërrova dhe faleminderit që m’u dha nga Zoti. Është një moment unik për mënyrën se si dhe ku ndodhi, për vendin. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të festuar me babanë tim, vëllezërit e mi. Edhe ata vuajtën shumë, jam vërtet i lumtur".

Fitore edhe për Brazilin, 2-0 ndaj Perusë, me golat e Everton Ribeiro dhe Neymar. Ylli i PSG arriti në kuotën e 12 gola me Seleçao në kualifikueset e Kupës së Botës dhe kapërcen kësisoji dy legjenda si Romario dhe Zico, që të dy me nga 11 gola në karrierën e tyre. Pra, edhe për të, ashtu si për Messin, ishte një mbrëmje e shënuar në karrierë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd