Transmetuar më 11-09-2021, 07:40

Sezoni nuk filloi në mënyrën më të mirë për Arsenalin, me tri humbje në po aq ndeshje të Premier League. Mikel Arteta dhe ekipi i tij kanë vështirësi të dukshme në fushën e blertë, por duhet theksuar se “Topçinjve” iu është dashur të bëjnë pa disa lojtarë të rëndësishëm, që rezultuan pozitivë me Covid-19.

Kjo çështje e ka vënë klubin londinez më në vështirësi. Ishte radha e Aubameyang dhe Lacazette, dy sulmuesit më të rëndësishëm; pastaj e Ben White, një blerje e shtrenjtë verore; dhe së fundi, Granit Xhaka, i cili refuzoi të vaksinohej para se të dilte me COVID-19 javën e kaluar, kur iu nënshtrua testeve me ekipin kombëtar zviceran dhe rezultoi pozitiv.

Përballë kësaj situate, Arteta, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Norwich, drejtoi gishtin tek “no vax”, i pranishëm në skuadrën e tij dhe ilustroi se si këto zgjedhje nuk bien vetëm mbi individët, por sjellin disavantazh për të gjithë ekipin:

"Natyrisht, nëse ata nuk vaksinohen, do të ketë kufizime, sepse ne nuk duam të ekspozohemi ndaj gjërave të caktuara. Për shembull, kur udhëtojmë. Nëse nuk janë të vaksinuar dhe udhëtojnë apo shoqërohen me të tjerë në raste të caktuara, rreziku rritet shumë. Në fund, skuadra dhe klubi do ta paguajnë çmimin".

Trajneri bask përballë valës së pozitivëve me koronavirus në skuadër kishte deklaruar se ndeshja kundër Brentford duhej të ishte shtyrë. Tani shpreson që lojtarët e tij të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur:

"Ne po përpiqemi t’iu shpjegojmë të gjitha arsyet pse kjo është gjëja e duhur për të bërë. Para së gjithash, çdo lojtar i vaksinuar do të mbrojë klubin dhe së dyti shokët e tij të skuadrës, mjedisin me të cilin janë në kontakt të vazhdueshëm”.

Arteta përfundoi duke thënë: "Nga ana tjetër, cila është gjëja më e mirë për klubin dhe ekipin, nëse jo vaksina për të minimizuar rrezikun që një lojtar të kontraktojë virusin ose t’ia kalojë atë dikujt tjetër? Kjo është një çështje personale, nuk është detyrim dhe ne duhet ta respektojmë atë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd