Transmetuar më 11-09-2021, 08:00

I mbërritur për të zënë vendin si portier i dytë te Torino, i lënë bosh pas promovimit të Milinkovic-Savic titullar, Etrit Berisha u prezantua mbrëmë te skuadra e Serie A: "Kur m’u dha rasti të vija te Torino isha shumë i lumtur, të gjithë e dimë se ky është një klub i madh.

Unë i di vështirësitë që ka pasur vitet e fundit skuadra, por jam i bindur se mund të bëjmë gjëra të mira. Kam ndjenja pozitive dhe mendoj se mund të zhvillojmë një kampionat të madh”.

Berisha pastaj foli për konkurrencën me Milinkovic-Savic: “Që kur fillova të flas me Vagnati (drejtorin sportiv) këtë verë, ideja ime ka qenë gjithmonë të vija dhe të ndihmoja ekipin. Edhe sikur të më thoshin se isha i pari, sërish nuk do të ndihesha i sigurt.

Sidoqoftë, ka shumë ndeshje dhe do të ketë një shans për të treguar vlerën time. Ende jam duke punuar për të shfrytëzuar sa më shumë mundësinë, kur ta kem, dhe e di që mund ta ndihmoj ekipin".

Etrit Berisha – Euro 2016

Lidhur me idhullin e tij të portës, Berisha ka shtuar se nuk është legjenda italiane e "armikut" Juventusi, Gigi Buffon: “Një portier që më ka pëlqyer gjithmonë është Van der Sar, i fortë dhe i qetë, i aftë për të bërë diferencën. Unë gjithashtu përpiqem t’i jap skuadrës qetësi shpirtërore, siç bënte ai".

Pastaj një krahasim mes dy trajnerësh: "Gasperini dhe Juric? Ka shumë ngjashmëri mes tyre. Ata janë të ngjashëm në mënyrën se si përgatiten për ndeshjet. Fakti që Juric ngjason me Gasperinin është një avantazh për mua, sepse tashmë e di se si të sillem si portier. Mënyra e lojës është e ngjashme, por tani duhet të arrijmë rezultate.

Kur isha te Spal u përmirësova shumë në lojën me këmbë. Juric, gjithashtu dëshiron që portierët të luajnë shumë me këmbë dhe po punojmë shumë për këtë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd