Transmetuar më 10-09-2021, 12:02

Ish-presidenti Bujar Nishani nuk ka reaguar aspak pozitivisht ndaj vendimit të Lulzim Bashës duke përjashtuar nga grupi parlamentar liderin historik, Sali Berishën.

Gjatë një reagimi në rrjetet e tij sociale, Nishani e quan këtë vendim si: “dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”.

Përmendim që ditën e sotme mbështetësit e partisë Demokratike sulmuan Bashën për vendimin e marrë.

Reagimi i plotë i Bujar Nishanit: Lulzim Basha ka vepruar si një skuth ! Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.

Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike !

Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.

Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë ! Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjesimit të Partisë Demokratike, asgjesimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjesimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashegimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.

Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike ! Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjesimin e fondamenteve me bazike të demokracisë.

Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi !

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd