
Kryeministri Edi Rama pas daljes nga Kuvendi ka reaguar për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.
Rama pranoi se ishte i surprizuar nga zhvillimet në Partinë Demokratike ku Sali Berisha i shpalli luftë publikisht Lulzin Bashës.
Kryetari socialist tha se atij as që ia kishte prerë mendja se gjërat në PD do të shkonin kështu kur kishte kërkuar qeverisje të përbashkët me demokratët.
"Ne vijmë në Kuvend me dorën e shtrirë. E kam thënë këtë pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve", tha Rama duke mos u tërhequr gjithsesi nga ftesa për Bashën.
I pyetur nga gazetarët nëse ndihej i lumtur apo i trishtuar për vendimin e Bashës, Rama u shpreh duke thënë se këto emocione janë shumë të mëdhaja për t’u përjetuar në aspektin politik.
Kryeministri Rama:
"Ju uroj punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut, unë do të angazhohem personalisht që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve që e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime interesa dhe ambicie që mund të jenë dhe të natyrshme.
PS e ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimin të saj, duhet të ndjejë në çdo qelizë që të çojë Shqipërinë në nivel tjetër, dhe sa pak e rëndësishme janë këto të tjerat.
Ne vijmë në Kuvend me dorën e shtrirë. E kam thënë pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve.
Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar cdo ditë edhe në raport me ju. Jam i vetëdijshëm se pa dashje dhe kam kaluar kufirin kam krijuar shqetësime për ju. Do bëj cmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe unë të jem në dispozicionin tuaj sa më i urtë dhe i butë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do jetë gabimi im.
E kuptoni sesa e madhe është sfida jonë? PS e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë sic po ndodh në ktë moment, ne jemi lart jemi shumë përpara.
Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishem për ti shpërdoruar për cështje të natyrës politike dhe aq më tepër në një kamp tjetër. Më shfrytëzoni për t’më pyetur për çështje që janë me interes për popullin dhe që mund të bëjnë dicka për të zgjidhur hallet e popullit".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





