
Dy gazetarë në Afganistan thonë se janë ndaluar dhe më pas rrahur egërisht nga talebanët, pak minuta pasi po përpiqeshin të mbulonin një protestë që po zhvillohej për të drejtat e grave.
Fotografitë që qarkullojnë në internet tregojnë dy gazetarët nga gazeta Etilaatroz, plot me mavijosje pas arrestimit të tyre në kryeqytetin Kabul.
Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, i tha BBC -së se ishte dërguar në një stacion policie ku ishte goditur egërsisht.
Daryabi, së bashku me fotoreporterin e Etilaatroz, Nematullah Naqdi, kishte mbuluar një protestë të grave në Kabul të Mërkurën.
Më pas, ata u dërguan në një stacion policie, ku thonë se u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata u lanë të lirë nga talebanët, pa asnjë shpjegim.
"Ata më çuan në një dhomë tjetër dhe më vunë prangat", – tha ai.
"Vendosa të mos mbrohem sepse mendova se do të më rrihnin edhe më keq, kështu që u shtriva në dysheme në një pozicion për të mbrojtur pjesën e përparme të trupit tim.
Tetë talebanë erdhën dhe filluan të më rrahin … Duke përdorur hunj, shkopinj gome – çfarëdo që kishin në duar. Shenja që kam në fytyrë është nga këpucët me të cilat më goditën me fytyrë.
"Rashë pa ndjenja pas kësaj dhe ata ndaluan. Më çuan në një ndërtesë tjetër ku më lanë dhe ikën".
Nematullah Naqdi tha se luftëtarët talebanë ishin përpjekur t’i merrnin aparatin e tij sapo ai filloi të merrte fotografi të protestës.
"Njëri prej talebanëve më vuri këmbën në kokë, më përplasi fytyrën në asfalt. Mendova se do të më vrisnin", tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP.
Ai pyeti pse po i rrihnin, kurse ata i thanë: "Jeni me fat që nuk iu prenë kokat".

Agjencia e lajmeve Tolo në Afganistan raportoi se kameramani i saj ishte arrestuar dhe mbajtur nga talebanët për gati tre orë.
CPJ, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, tha se të paktën 14 gazetarë ishin arrestuar dhe më pas ishin liruar gjatë dy ditëve të fundit.
"Talibanët po dëshmojnë shpejt se janë gënjeshtra, premtimet e mëparshme për të lejuar mediat e pavarura të Afganistanit të vazhdojnë të veprojnë lirshëm dhe të sigurt," tha Steven Butler, koordinator i programit të CPJ-së për Azinë.

"Ne i nxisim talebanët të zbatojnë ato premtime të mëparshme, të ndalojnë rrahjen dhe ndalimin e gazetarëve që bëjnë punën e tyre dhe të lejojnë mediat të punojnë lirshëm, pa frikën e ndëshkimit." /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





