
Sot starton kampionati i ri kombëtar i futbollit, Kategoria Superiore. Ndeshja hapëse është mjaft interesante, mes Teutës dhe Partizanit. Kampionët në fuqi do të presin “demat e kuq”, të përforcuar ndjeshëm në ditët e fundit të merkatos. Trajneri Ilir Daja doli në konferencë për shtyp dhe bëri këtë prognozë të 90-minutëshit të sotëm, por u ndal edhe në çështje të tjera.
I kënaqur me afrimet – Gjithmonë trajnerët kërkojnë më shumë, synojnë role të dubluara, të kenë sa më tepër alternativa. Gjithsesi, besoj se tani jemi më të kompletuar, jemi të kënaqur me grupin që kemi në dispozicion. Janë afruar rreth 20 lojtarë dhe kemi një ndërthurje shumë të mirë të brezave, kemi lojtarë me eksperiencë, duke nisur nga porta, që është e blinduar me Alban Hoxhën dhe Aldon. Kemi afruar edhe një portier me shumë perspektivë si Laroshi.
Për të vazhduar me zv.kapitenin e ekipit, Belicën, me 2-3 alternativa në qendër. Të mos harrojmë Zhunior, një nga pikat tona kryesore, me mjaft eksperiencë. Na e shton kualitetin edhe rikthimi i Malës apo ardhja e Kaçes, por sigurisht që gjendja e tyre nuk është e duhura për të startuar nga fillimi, që ndaj Teutës. Kemi disa lojtarë të rinj, të cilët mund të jenë edhe pjesë e formacionit duke filluar nga Rrapaj, Albion Marku. Kemi edhe disa lojtarë 19-vjeçarë, goxha me perspektivë, që do të jenë e ardhmja e Partizanit.
Satrti ndaj kampiones në fuqi, Teutës – “Në këtë kampionat të gjitha ndeshjet janë të vështira. Do të thoja që janë gati shtatë ekipe që pretendojnë pjesën e sipërme të klasifikimit, nuk po i citoj secilat, sepse nganjëherë futbolli është i paparashikueshëm. Kampionatin e kaluar askush nuk na llogariti ne si Partizan se do pretendonim për titullin, por deri javën e fundit ishim aty; një nga pretendentët kryesorë. Luajmë me ekipin kampion në fuqi dhe motivimi është akoma më i madh. Të dyja ekipet vijnë me ndryshime në këtë ballafaqim, ndaj presim një ndeshje të vështirë. Duhet të jemi edhe pragmatistë, sepse e dimë që nuk kemi formën maksimale për shkak të dinamikës së zhvillimit të merkatos.
Afrimet e reja – “Nëse Kaçe dhe Mala do kishin patur gjendjen e tyre më të mirë fizike, sigurisht që do të ishin titullarë padiskutim, sepse i kanë cilësitë për këtë. Kjo nuk është problematikë e jona, por lidhet me kujdesin e vetë lojtarëve. Gjithsesi, mendojmë t’i kemi sa më shpejt të jetë e mundur gati, sepse janë dy lojtarë që do t’i shërbejnë shumë ekipit. Në merkato kemi qenë mjaft të kujdesshëm, kemi parë shumë lojtarë dhe nga ata që kemi vëzhguar kemi zgjedhur disa prej tyre, për ta përfaqësuar Partizanin edhe në objektivat që ka. Mendojmë që me pjesën më të madhe të grupit kemi zhvilluar fazën përgatitore dhe janë të gatshëm për ta përballuar fillimin e kampionatit. Duke u rritur edhe gjendja fizike e lojtarëve të tjerë që kanë ardhur së fundi nga merkato besoj se jemi në rrugën e duhur”.

Favorit për titullin – “Një ekip si Partizani, ndër ekipet më me traditë në futbollin shqiptar dhe nga më të titulluarit, panvarësisht kontigjentit që ka, gjithmonë synon titullin. Presioni është present, sepse ka një tifozeri të madhe, e cila i qëndron afër ekipit. Tifozëria përveçse është një suport shumë i fuqishëm, kërkon edhe maksimumin nga ekipi dhe secili lojtar apo pjestar i stafit. Ky lloj presioni duhet kur drejton ekipe si Partizani. Mendoj që lojtarët zgjidhen që ta suportojnë këtë lloj presoni, kjo lloj “trysnie” do të jetë një motiv shumë më i madh për ne që kërkesat e tifozëve tanë t’i përmbushim në fushën e lojës”.
Fusha e “Ebasan Arena” – “Ajo që është e rëndësishme në këtë lloj përballje nuk është fakti që luajmë në Durrës apo Elbasan, sepse edhe sikur të luanim në Tiranë janë dy ekipe që do luftojnë fort për të marrë fitoren. Kjo do të thotë që efekti fushë nuk është shumë i rëndësishëm, por pozitiv është fakti që luajmë në një terren shumë të mire, siç është ai i “Elbasan Arenës”. Aty kemi mundësitë luajmë një futboll cilësor”.
VAR dhe rikthimi i tifozëve – “Më i rëndësishëm është fakti që rikthehen tifozët, sepse të gjithë i kemi përjetuar stadiumet pa praninë e tyre dhe në fund ndeshjet luhen për ta. Për ne është një suport jashtëzakonisht i madh, sepse dihet që është një numër shumë i madh tifozësh që na ndjekin në të gjithë Shqipërinë. Përsa i përket sistemit VAR mendoj që do të menaxhohet drejt nga federata në ato raste kur vlen për t’u interpretuar. Mendoj se do ta ulë shkallën e padrejtësisë, sepse nëse gabon një arbitër në fushë, ata që janë në sistemin VAR për të gjykuar e kanë pak më të thjeshtë. Prezenca e sistemit VAR do t’i bëjë mirë futbollit tonë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





