
FIFA është e qartë se futbolli ka nevojë dhe duhet të ndryshojë urgjentisht. Trupa më e lartë e futbollit botëror është mbledhur në Doha gjatë këtyre ditëve me ish-lojtarë dhe ish-trajnerë për të studiuar se si t’i japin kuptim më shumë kalendarit.
Arsene Wenger ka shpjeguar vendimet e miratuara, të cilat do të hyjnë në fuqi nga viti 2028 (disa më 2024) dhe do të kenë një risi të madhe: eliminimin e ndalesave të skuadrave kombëtare për t’i grupuar këto ndeshje në tetor.
"Të gjithë aktorët janë të shqetësuar për sasinë dhe cilësinë e ndeshjeve. Ne duhet të bëjmë më pak udhëtime dhe të provojmë më pak ndryshime klimatike. Mënyra e kombinimit të ndeshjeve të klubeve dhe kombëtareve nuk është më e përshtatshme.
Ne duam t’i reduktojmë ndeshjet, por gara duhet të jenë shumë më interesante. Tifozët duan ndeshjet më të rëndësishme. Ne duhet të zvogëlojmë dallimet midis konfederatave dhe të japim të njëjtat mundësi", – sqarojnë burime nga FIFA.
“Revolucioni” do të vinte me ndryshimin e formateve të garave: "Kalendari aktual është i vjetëruar. Në shtator tashmë ekziston ndalesa e parë, në tetor e dyta, në nëntor e treta dhe në mars e katërta. Në qershor fillon pushimi veror dhe në korrik sezoni i ri. E gjitha kjo është shumë, ka të bëjë me riorganizimin e raundeve kualifikuese për të shmangur udhëtimet.
Gushti dhe shtatori do të ishin idealë për futbollin e klubeve, ndërsa tetori për raundet kualifikuese. Nga nëntori deri në fund të sezonit përsëri me futbollin e klubeve”, – tha Arsene Wenger. Logjikisht, verat do të mbeteshin për fazat përfundimtare si Kupa e Botës, Europiani, Kupa e Amerikës etj.

"Ne duhet të riorganizojmë gjithçka. Përfitimet do të jenë për të gjithë, duke filluar me klubet. Nuk do të ketë ndalesa, – saktësoi Wenger në një konferencë shtypi, ku u pyet gjithashtu për Botërorin e Klubeve: "COVID-19 e ka ndryshuar situatën. Ne kemi vendosur të riorganizojmë orarin e ndeshjeve ndërkombëtare. Kur të vendoset, do t’i kthehemi Botërorit për Klube dhe do të shohim nëse ka nevojë për ndryshime".
Wenger shpjegoi se kur do të jetë e mundur të luhet një Kupë Bote çdo dy vite: "146 federata kanë kërkuar të luhet Kupa e Botës çdo dy vite dhe në muajin dhjetor. Do ta shohim. Përgjigja nga të gjithë aktorët ka qenë shumë pozitive, madje edhe nga futbollistët aktivë.
Më 19 dhjetor do të dihet, nëse federatat e miratojnë si projekt. Ka shumë federata që nuk kanë luajtur ende një Kupë Bote. Ndalesat prej kombëtareve janë më të këqijat për ekipet dhe këtë e them sepse kam kam qenë trajner klubi për një kohë të gjatë".
Pyetja është të dimë nëse do të luhen më shumë ose më pak ndeshje se me skemën aktuale. "Sa ndeshje duhet të luajë një futbollist në sezon? Nuk ka numër ideal. Potenciali fizik i secilit prej tyre është i ndryshëm. Futbollistët duan të luajnë ndeshje të rëndësishme.
Udhëtimet dhe ndryshimet e motit janë më të dëmshme sesa numri i ndeshjeve. Me kalendarin që ne propozojmë do të luheshin më pak ndeshje”, – sqaron më tej francezi, pjesë e FIFA-s. Kalendari botëror i futbollit është i mbyllur deri në vitin 2024, por ndryshimet mund të hyjnë në fuqi qysh atëherë. Kupa e Botës çdo dy vite mund të bëhet realitet nga viti 2028.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





