
Fernando Signorini, një ish-trajner fizik për Messin dhe Maradonën, ka dhënë një intervistë për “So Foot”, në të cilën diskutoi gjendjen fizike të blerjes së bujshme të PSG-së gjatë merkatos verore. Në të, Signorini e ka etiketuar Messin si një “mace që gjuan minj” dhe nuk ka dyshim se, në moshën 34-vjeçare, ai do të ketë një sezon të plotë në Paris:
"Leo ka përvojë të mjaftueshme sot për të ditur se si t’i menaxhojë forcat gjatë një ndeshjeje apo sezoni të tërë. Ai nuk është lojtari tipik që bën vrapime shtesë, nëse nuk ka nevojë. Shokët e tjerë të skuadrës me siguri do të bëjnë më shumë përpjekje. Edhe pse ai ka luajtur vetëm 30 minuta këtë sezon, nëse Leo është grumbulluar me Argjentinën ndodh sepse trajneri e di gjendjen e tij fizike”.
Signorini e krahason Messin me një mace: “Rasti i Messit është i jashtëzakonshëm, e ka ruajtur një nivel kaq të lartë për shumë kohë. Ashtu si Diego (Maradona), Leo është si një mace, që gjuan minj. Gjendja fizike do të kompensohet me përvojën. Leo ka një inteligjencë taktike dhe strategjike shumë të rëndësishme”.
Si duhet të silleni me Messin – "Nëse doni ta ndihmoni, si pjesa tjetër e skuadrës, gjëja e parë që duhet të bëni është ta njihni atë, të fitoni besimin e tij në marrëdhëniet e përditshme, ta dëgjoni dhe, mbi të gjitha, jo ta detyroni për diçka. Fundja, kush mund të ketë vërtet autoritetin për t’i imponuar diçka Messit? Në këtë lloj situate dhe me këtë lloj lojtari duhet ta lini mënjanë krenarinë, ta dëgjoni dhe të kujdeseni për të sa më shumë që të jetë e mundur. Gjithçka duhet të jetë racionale. Ju nuk mund ta çoni në një fushë ku rrezikoni cilësitë e tij. Kjo është përgjegjësi e stafit trajnues”.
Transferimi i tij në Paris – "Unë mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë, sepse duhet të shkojë në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm në formë të mirë fizike, por edhe emocionalisht. Nëse do të kishte qëndruar në Barcelonë, me siguri nuk do të kishte një skuadër që do të përmbushte pritshmëritë e tij. Barça nuk duket më si më parë. Unë besoj se në Paris do të ketë një shans shumë më të mirë për të përmbushur aspiratat e tij dhe kështu të arrijë në Kupën e Botës në gjendje të mirë psikologjike. Natyrisht, rezultatet do të duhet ta shoqërojnë atë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





