Transmetuar më 10-09-2021, 08:45

Jorginho ishte “truri” i Italisë në kompeticionin e kësaj vere, në triumfin e saj si kampione e Europës. Një lojtar që është rritur shumë, aq sa konsiderohet favoriti kryesor për fitimin e “Topit të Artë”, si kampion i kontinentit me Chelsea dhe kombëtaren axurre.

Por, për të mbërritur deri këtu, e ka nisur nga hiçi, si një emigrant në Itali. Megjithatë, pasioni për futbollin nuk i mungoi kurrë, as talenti që rrjedh nga origjina e tij braziliane. Në fillimet e karrierës, ai thotë se ka vuajtur vërtet shumë, ishte tejet i varfër:

"Jetoja me 20 euro në javë, që i merrja nga agjenti im, i njëjti që më kishte ftuar në një kamp stërvitor. Gjithmonë do t’i shpenzoja ato para për të njëjtat gjëra. 5 euro për të telefonuar familjen time në Brazil, disa më shumë për shampo, deodorant dhe pastë dhëmbësh.

Në fundjavë do ta shpenzoja pjesën tjetër në një "Internet Café" për të biseduar me miqtë dhe familjen në MSN. Ndonjëherë, kur doja vërtet diçka për të ngrënë, shkoja te sheshi kryesor në Verona dhe blija ndonjë ëmbëlsirë te McDonald’s. Kushtonte një euro.

Fries? Burger? Harroje, plako! Ushqimet e tilla ishin për fëmijët e pasur. Pastaj ulesha në një shkallë në cep të sheshit dhe vetëm shikoja njerëzit që vinin dhe iknin. Unë do të shikoja zogjtë dhe turistët, thjesht i lija mendimet e mia të endeshin. Kështu i kalova pasditet e së shtunës".

Një histori reale jetësore që tregon se çfarëdo që të të ndodhë, kurrë mos u dorëzo. Nga barku bosh, që shpenzonte 20 euro në javë, sot fiton miliona euro si kampion i Europës me Chelsea dhe Italinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd