Transmetuar më 09-09-2021, 08:00

Cristiano Ronaldo shpërtheu gjatë një interviste me “Daily Mail”. Përgjigjet e dhëna për Piers Morgan kanë zbuluar anën tjetër të të qenit një ikonë botërore. Deklaratat e kampionit portugez po bëjnë xhiron e botës dhe me siguri për to do të flitet një kohë të gjatë.

Ja çfarë tha Cristiano Ronaldo: "Të jesh unë është e mërzitshme. Kur fillon fama, gjithçka duket e bukur. Je i famshëm, je një lojtar fantastik, fiton trofe, shënon gola, je në faqet e para të gazetave, në televizion.

Por, pas shumë vitesh, ju e shikoni jetën në një mënyrë tjetër. Ju keni një të dashur, keni fëmijë, doni pak privatësi, por nuk ka më privatësi. Privatësia ime nuk ekziston. Nëse do të kisha mundësinë tani, do të paguaja për ta rimarrë privatësinë time.

Njerëzit thonë: Por ju jeni të pasur, keni para, makina, shtëpi. Ju siguroj se kjo nuk është e gjitha. Më besoni, të qenit shumë i famshëm nuk është mirë. A e dini sa herë kam shkuar në park me fëmijët e mi në dy vitet e fundit? Zero. Sa dal mblidhen rreth meje shumë njerëz. Fëmijët do të jenë nervozë, unë do të jem nervoz, e dashura ime do të jetë nervoze.

Nuk mund të shkoj në një bar me miqtë, sepse e di që nuk do të ndihen rehat me mua atje. I shmang të tilla dalje, sepse njerëzit përreth meje do të jenë më nervozë se unë. Ndihem sikur jam në një kafaz të përhershëm, por është tepër vonë për ta ndryshuar situatën".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd