Transmetuar më 08-09-2021, 07:50

Franca përpiqet të dalë nga “gropa”, ku ka përfunduar me rezultatet e fundit. Pas eliminimit të saj të papritur në Kampionatin Europian të kësaj vere nga Zvicra, në 1/8 finale, kombëtarja transalpine nuk po ngre dot kokën. Fitorja e mbrëmshme ndaj Finlandës ishte një sinjal reagimi, pori zbehtë.

Tashmë ka disa zëra në dhomën e zhveshjes që pranojnë se nuk janë më ata të triumfit në Kupën e Botës së Rusisë, më 2018, pra skuadra më e mirë në glob. Rindërtimi i një projekti ekzistues, me qëllim kryesor “Katar 2022”, ka qenë i komplikuar.

"Euforia e suksesit në Rusi ka mbaruar. Ka shumë ndryshime në nivelin e lojtarëve, por na takon të gjithëve të rrisim nivelin e lojës”, – tha kapiteni Hugo Lloris, pas barazimit të papritur në Ukrainë (1-1).

Paul Pogba, gjithashtu nuk “e kafshoi gjuhën”. Mesfushori i Manchester United pranon se kanë zbritur nga froni i më të mirëve “de facto”, edhe pse mbeten kampionë të botës në fuqi, ndaj apelon për kthim në përulësi:

"Kisha shumë kohë pa fituar një ndeshje me kombëtaren e Francës. Më mungonte fitorja, të gjithëve na mungonte. Ne nuk jemi më skuadra më e mirë në botë".

Pogba iu kërkon shokëve të tij të kombëtares më shumë intensitet: "Ne duhet të ndryshojmë gjithçka, të jemi më agresivë. Duhet ta djersijmë fanellën, të luajmë me më shumë energji, kjo është e tëra".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd