Transmetuar më 07-09-2021, 13:15

Fitorja me Hungarinë erdhi si “melhem” i atij zhgënjimi të madh në Varshavë. Humbja 4-1 i ka lënë pasojat e veta, gjithsesi, por goli i Brojës iu siguroi tri pikë të arta kuqezinjve në kualifikuesen pasuese. Nesër do të jetë e treta sfidë brenda 8 ditësh, me ndryshimin se kësaj here presim modestët e San Marinos.

Duhen konsideruar kështu në letër, por nënvlerësimi është i ndaluar. Megjithatë, kapiteni Elseid Hysaj është marrë më shumë me Poloninë dhe Hungarinë, sfidat e kthimit me to, si rivalët tanë për vendin e dytë, i cili vlen kualifikimin në "Katar 20022", në konferencën e sotme për shtyp, ku u shpreh:

“Na duhej kjo fitore me Hungarinë, sepse na karikon shumë për të ecur përpara. Kemi mundësi të shkojmë në Botërorin e Katarit, ndaj jemi të motivuar për ndeshjen e radhës. Tashmë kemi më shumë besim te vetja, jemi përforcuar si kombëtare. Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq e mbushur me lojtarë që luajnë me ekipet e mira europiane. Edhe me Hungarinë luajtëm shumë mirë.

Beteja për vendin e dytë në grup vazhdon. Jemi tre rivalë për këtë objektiv; ne, Polonia dhe Hungaria. Janë dy kombëtare me nivel të mirë. Polonia përfiton shumë nga Lewandowski, që luan te më të mirët, ndërsa Hunagria është si puna jonë, ka grupin. Kemi alternativa të mira në mesfushë dhe në sulm, siç e patë ndaj Hungarisë.

https://www.youtube.com/watch?v=bIrfpdWIf04

Mesfusha dha maksimumin dhe bëri lëvizje shumë të mira. E rëndësishme është të kesh sulmues që shënojnë dhe këtë e kemi bërë, e bëri Cikalleshi me Poloninë, Broja me Hunagrinë, por me kalimin e kohës do të kemi më shumë vlera në fushë në të gjitha repartet. Tepër të rëndësishme janë ndeshjet e kthimit me Poloninë dhe Hungarinë.

Unë besoj se kemi mundësi kualifikimi. Mund t’ju marrim pikë të dyjave. Nuk po e llogaris San Marinon, sepse jemi vërtet të favorizuar ndaj saj dhe 3-pikëshi duhet të jetë i yni patjetër. Ndeshjen me Poloninë mezi po e presim, sepse duam ta shpagojmë veten. Të gjitha statistikat ishin për ne, por ca gabime personale na ndëshkuan. Duhet t’i rregullojmë ato gabime dhe kundër Polonisë në kthim do të jetë një nga ndeshjet më të bukura.

Si po shkoj te Lazio? Shumë mirë, klubi ka perspektivë, synon të shkojë në Ligën e Kampionëve. Aty gjeta dhe mister Sarrin, me të cilin kam punuar shumë. Mund ta konsideroj si “babain sportiv”, sepse me të vërtetë më ka rritur në nivelin e karrierës si futbollist dhe dua ta falënderoj. Më ka marrë në ekipet e tij, përjashto Chelsea. Atje ishin ca probleme të tjera me presidentin”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd