Transmetuar më 06-09-2021, 10:59

Brazil-Argjentinë, precedent për të gjithë botën, tani është një gjë e kryer. Në vazhdim duhet kuptuar se cilat do të jenë pasojat e pezullimit të bujshëm të kësaj ndeshjeje kualifikuese të Kupës së Botës, diktuar nga ndërhyrja e autoriteteve shëndetësore braziliane pas 6 minutash lojë.

Në Argjentinë ekziston siguria e fitimit të ndeshjes në tavolinë, por çështja është në duart e komisionit disiplinor të FIFA-s, i cili do të vendosë brenda 72 orëve nga pezullimi i sfidës. Janë ngritur polemika të ashpra mbi incidentin dhe metodat e ndërhyrjes së autoriteteve braziliane në fushë, kur mund t’i kishte kryer këto veprime pa dalë skuadrat në mejdanin e blertë.

Ndërkohë, delegacioni argjentinas u kthye në shtëpi, pasi u mbyll në dhomën e zhveshjes për më shumë se dy orë. Ndërhyrja e ambasadorit argjentinas, i cili shoqëroi Messin dhe shokët e tij në aeroportin e Sao Paulos, ishte vendimtare.

https://www.youtube.com/watch?v=Q-ErNjG3kic

FAKTET – Autoritetet shëndetësore braziliane bastisën fushën për të kërkuar dëbimin e katër lojtarëve argjentinas, që luajnë në Premier League, të akuzuar se kanë falsifikuar mënyrën e tyre të hyrjes në Brazil, duke dështuar të vijnë direkt nga Anglia. Sipas rregulloreve aktuale, kushdo që mbërrin në Brazil nga Mbretëria e Bashkuar duhet të respektojë 14 ditë karantinë, gjë që nuk ndodhi për katër lojtarët argjentinas: Martinez, Romero, Buendìa dhe Lo Celso.

Pas bastisjes nga zyrtarët e “Anvisa”, Argjentina u largua nga fusha e mbështetur nga vendimi i gjyqtarit Valenzuela, i cili mori vendimin për të pezulluar ndeshjen. Edhe më surreale ishte ajo që ndodhi në tri orët e ardhshme, me lojtarët argjentinas të mbyllur në dhomat e zhveshjes nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të armatosur, që pretenduan se zbatuan urdhrin e dëbimit, ndërsa Brazili ishte i kënaqur në fushë, duke i dhënë jetë një ndeshjeje mes titullarëve dhe rezervave. Për të lënë stadiumin dhe për të hyrë në “charter” e kthimit në Buenos Aires, delegacioni argjentinas kërkoi ndërhyrjen e ambasadorit.

https://www.youtube.com/watch?v=eAaHRKdrgPU

POZICIONET ZYRTARE – Menaxhmenti i “Anvisa”, i drejtuar nga një ish-ushtar pranë presidentit Bolsonaro, pretendoi se kishte kërkuar dëbimin e katër argjentinasve qysh 24 orë para fillimit të ndeshjes, duke vendosur karantinën në hotel për ta deri në momentin e largimit nga territori brazilian. Sipas autoriteteve shëndetësore vendase, katër argjentinasit thuhet se deklaruan falsitet në formularin përkatës, që duhej të plotësohej me hyrjen në Brazil, ngaqë ata vinin nga Anglia.

Federata argjentinase u mbrojt duke deklaruar se "i përmbahej shkronjës me rregullat e vendosura nga Conmebol dhe protokollit shëndetësor aktualisht në fuqi". AFA shtoi gjithashtu se kishte rënë dakord për një "korridor shëndetësor" të saktë 72-orësh, në përputhje me atë që është praktikuar vitin e fundit nga çdo ekip i huaj, i cili ka hyrë në Brazil.

Nga ana e saj, CBF u bashkua me federatën argjentinase, duke e cilësuar incidentin si "të trishtuar dhe krejtësisht të papërshtatshëm". Ndërkohë, Conmebol e ka bërë të qartë se pezullimi i ndeshjes është rezultat i një vendimi të gjyqtarit, duke hequr efektivisht Argjentinën nga çdo përgjegjësi në këtë drejtim.

ZHVILLIMET – AFA mohon çdo akuzë në lidhje me deklaratat e rreme të supozuara në formularët e plotësuar nga delegacioni argjentinas. Vonë në mbrëmje, ajo publikoi një kopje të formularëve të sipërpërmendur dhe të plotësuar rregullisht.

Meqenëse ky është një kompeticion i drejtuar nga FIFA, çështja është kompetencë ekskluzive e organit më të lartë në futbollin botëror, i cili do të marrë një vendim brenda 72 orëve përmes komisionit të tij disiplinor.

Përtej polemikave dhe arsyeve, pas pezullimit të bujshëm, hije të rënda mbi incidentin hedhin koha dhe metodat e ndërhyrjes së autoriteteve lokale shëndetësore, të cilat vepruan tri ditë pas zbarkimit në Brazil të delegacionit argjentinas, duke përdorur zyrtarë të armatosur (një prej tyre madje pati një përplasje të fortë me Otamendi, para se Argjentina të largohej nga fusha).

https://www.youtube.com/watch?v=j3QlfmsBkJQ

SKENARËT – Sipas zërave të parë ekzistojnë dy skenarë të mundshëm të konsideruar nga FIFA: nga njëra anë shtyrja e sfidës, me vështirësitë e lidhura për të gjetur një datë të dobishme; nga ana tjetër vendimi për t’i dhënë fitoren në tavolinë Argjentinës, me sanksione të mundshme shtesë kundër Brazilit (të tilla si skualifikimi i fushës dhe pamundësia për të luajtur ndeshjet e ardhshme të planifikuara në shtëpi).

Argjentina, përkundrazi, nuk do të rrezikonte humbje në tavolinë, sepse (siç sqarohet nga raporti i gjyqtarit) braktisja e fushës u bë pas një vendimi të veçantë nga “bilbili” i ndeshjes. Edhe nëse deklaratat e rreme të katër argjentinasve që luajnë në Premier League do të vërtetoheshin, pasojat do të ishin ekskluzivisht legale, duke shkuar kështu përtej sferës rreptësisht sportive.

HISTORIKU – Vlen të sqarohet se, me rregulloret e FIFA-s në dorë, përsëritja e lojës lejohet vetëm në rast të një "pezullimi për shkak të forcës madhore", por ndërhyrja e autoriteteve qeveritare është ende e ndaluar. Në këtë rast, rregullat e FIFA-s parashikojnë humbjen në tavolinë dhe dënime të rënda për mikpritësin.

Ka dy precedentë për të komplikuar pozicionin e Brazilit: mungesa e karantinës së lojtarëve të Selecao nga Premier League në të fundit Kupë të Amerikës (kur i njëjti protokoll shëndetësor ishte në fuqi, si sot) dhe leja e lëvizjes së lirë dhënë Willian, i cili zbarkoi në Sao Paulo disa ditë më parë, pasi kishte përfunduar kontratën me Arsenalin për të kaluar te Corinthians.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd