Transmetuar më 05-09-2021, 18:32

Kohët e fundit ka marrë një kujdes të veçantë dieta ushqimore për shumë njerëz. Mund ta keni konstatuar dhe ju që po shmangen çdo ditë e më tepër ushqimet e shpejta tip fast food dhe pijet e gazuara.

Ndaj njerëzit kanë nevojë të dinë më shumë mbi dietën e ekuilibruar. Në ndihmë të lexuesve të noa.al vjen dietologia Sofia Antonsson e cila merr pyetje për dietën në revistën Expressen’s në Stokholm. Noa.al ju sjell përgjigjet e saj për pyetje të ndryshme që ju lindin. Nëse doni edhe ju përgjigjet tuaja na shkruani në [email protected].

Sofia Antonsson

A është e rrezikshme të hash shumë yndyrë?

Shumë njerëz kanë frikë nga yndyra, por a është vërtet kaq e rrezikshme?

Varet nga disa faktorë, thotë dietologia dhe nutricionistja Sofia Antonsson. Kur flasim për jetë të shëndetshme, preferohen yndyrnat e pangopura, të cilat gjenden te peshku yndyror, avokado, arrat dhe farat. Yndyrnat e ngopura, të cilat gjenden në gjalpë, djathë dhe krem, duhet të jeni më vigjilentë – edhe nëse nuk keni nevojë t’i përjashtoni nga dieta ushqimore.

Në rastin e yndyrës, e gjitha ka të bëjë edhe me atë se kush jeni dhe si jetoni. Një person me peshë normale që ushtron rregullisht palestrën apo gjimnastikën, nuk duhet të mendojë aq shumë për cilësinë e yndyrës sesa një person joaktiv i cili mund të jetë mbipeshë, të ketë diabet ose obezitet abdominal.

A duhet dhe a është e dobishme të shmangim glutenin?

Gluteni po merr shumë vëmendje vitet e fundit. Edhe njerëzit që nuk janë intolerantë kanë filluar të zgjedhin produkte pa gluten. Pyetja e vetme është nëse është më e dobishme?

Dietologia Sofia Antonsson thotë se të dy produktet, ato që përmbajnë gluten dhe ato që janë pa gluten mund të ndryshojnë në cilësi.

Nëse nuk vuani nga intoleranca, këshilla është që të investoheni në drithëra dhe sa më shumë që të jetë e mundur, zarzavate.

Një burim i mirë i drithërave të plota janë, për shembull, buka e freskët dhe bollguri. Kur flasim për bukën, zgjidhni atë pa majà, elbi, thekre, ose miell integral.

Një keqkuptim i zakonshëm është se gluteni shkakton probleme në stomak. Nuk është gluteni, por fibrat në drithëra që e shkaktojnë atë.

Si ta kontrolloj dëshirën për të ngrënë ëmbëlsira?

Lënia e sheqerit është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, veçanërisht kur dëshira e parezistueshme për ëmbëlsirat godet me forcë të plotë.

Sipas Sofia Antonsson, të heqësh dorë nga ëmbëlsirat, shpesh është më e vështirë në javët e para. Trupi do të "bërtasë" për diçka të ëmbël. Rekomandimi është që të përpiqeni të shpërqendroni veten sa më shumë që të jetë e mundur.

Por si arrihet ky shpërqendrim?

Ndoshta mund të lexoni një libër, të bëni një shëtitje ose të pini një gotë ujë?

Ndonjëherë trupi i interpreton sinjalet e etjes si një dëshirë për ëmbëlsira dhe atëherë mund të jetë e mjaftueshme nëse, në vend të një ëmbëlsire, pini një gotë me ujë. Për shembull, merrni një kanë, mbusheni me ujë dhe futni në të, herë copa trangulli, herë pjeshkë, apo mollë dhe mbajeni në frigorifer.

Një tjetër mundësi e mirë e manipulimit të trurit kur ju nxit të hani ëmbëlsira, është që të konsumoni perime krokante si brokoli dhe karrota.

Arrat janë gjithashtu një opsion, por mbani mend të mos hani shumë nëse doni të humbni peshë, mjaftojnë rreth dhjetë kokrra.

Çfarë do të thotë vërtet një dietë anti-inflamatore?

A munden perimet të lehtësojnë inflamacionin në trup? Të paktën kjo është ajo që thonë përkrahësit e një diete anti-inflamatore.

Disa studime thonë se ushqimet si qumështi, sheqeri dhe mishi i kuq veprojnë si katalizatorë për procese të ndryshme inflamatore në trup.

Sidoqoftë, Sofia Antonsson beson se mbështetja shkencore e deritanishme nuk është e mjaftueshme.

Por një gjë është e qartë, duhet të ulim sheqerin dhe të reduktojmë mishin e kuq, si dhe të shtojmë marrjen e frutave dhe perimeve. Provoni të ndryshoni dietën tuaj dhe shikoni nëse e ndjeni ndryshimin. Ndonjëherë nuk ka pse të jetë çdo gjë e zezë ose e bardhë.

Si të ndalem së ngrëni natën?

Ngrënia në orët e natës është një problem më vete për shumë njerëz dhe mund të nënkuptojë shtim në peshë në planin afatgjatë. Sidoqoftë, ky zakon mund të jetë i vështirë të prishet.

Një shpjegim mund të jetë që ju hani pak gjatë ditës.

Atëherë është mirë që problemin ta sulmoni nga dy drejtime. Filloni duke ngrënë pak më shumë gjatë ditës, edhe pak para se të flini. Më pas është e rëndësishme të aktivizoni sinjalin e ndaljes së mendimeve për të ngrënë natën dhe të mos ngriheni edhe kur ju hahet.

Do ju duhen disa javë që kjo të arrihet, por nëse rezistoni aq, trupi juaj do të mësohet. Mos harroni, çdo gjë është në tru.

A duhet të ha më shumë kur shkoj në palestër?

Shumë njerëz kanë dilema sesi të përfitojnë sa më shumë nga ushtrimi i palestrës apo kur merren me gjimnastikë, ecje dhe ushtrime të tjera ditore.

Dietologia Sofia Antonsson, thotë se kjo varet në radhë të parë tek ajo se cili është qëllimi juaj.

Nëse dëshironi të humbni peshë, duhet të merrni më pak kalori dhe për këtë arsye nuk duhet të hani më shumë. Dihet se një dietë ditore duhet të jetë midis 1500 deri 2 mijë kalori, përkatësisht për femrat dhe meshkujt.

Nëse dëshironi të ndërtoni muskuj, megjithatë, mund të jetë e vlefshme të rishikoni dietën.

Ekziston një keqkuptim i përhapur që duhet të filloni të hani proteina shtesë dhe të merrni suplemente kur ushtroheni. Por shpesh nuk është e nevojshme. Të ushtrohesh nuk kërkon proteina shtesë. Sidoqoftë, është e rëndësishme të shikoni se çfarë hani, në aspektin e të ushqyerit.

Këshilla e Sofies është të investoni në një pjatë shumëngjyrëshe plot me perime, manaferra, arra, fara dhe drithëra së bashku me proteina të pakta.

Çfarë duhet të hanë fëmijët për mëngjes?

Shumica e njerëzve duan që fëmijët e tyre të jenë mirë dhe të ushqehen shëndetshëm. Madje ka disa prindër që u rrinë fëmijëve me pjatë në dorë duke i nxitur gjithë kohës që të hanë, me bindjen se nuk hanë shumë. Por ndonjëherë duhet të ulni pritshmëritë tuaja.

Fëmijëve nuk u pëlqen gjithmonë të hanë sa më shumë dhe kjo është gjë e mirë. Mund t’u pëlqejë buka, mjafton të gjeni të tillë pa sheqer të shtuar.

Nëse u pëlqen kosi, mund ta përzieni atë me fruta të ëmbla.

Provoni të bëni dhe smoothie. E gjithashtu, vezë të zier.

Mëngjesi nuk ka pse të jetë mbytës. Një larmi ushqimesh nga dita në ditë është e këshillueshme. Një ditë kos me tërshërë, një ditë tjetër qumësht me drithëra, një ditë tjetër bukë me gjalpë, reçel e djathë dhe një gotë çaj i ngrohtë apo qumësht. Një ditë tjetër krepa me gjalpë e djathë ose pak çokokrem. Një ditë tjetër mund të përgatisni petulla e një ditë tjetër, vezë omëletë. /noa.al

Foto: Shutterstock