Transmetuar më 04-09-2021, 14:28

Nesër, prej orës 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të startojë sfida kualifikuese e Grupit I për Botërorin e Katarit, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Të dyja kombëtaret vijnë nga humbje shokuese, me nga 4 gola të pësuara secila ndaj Polonisë dhe Anglisë, respektivisht.

Prandaj, kërkohet reagim i menjëhershëm, por edhe fitore, si i vetmi rezultat që i mban kuqezinjtë në garë për vendin e dytë dhe kualifikim. Kapiteni Etrit Berisha kërkon të mos përsëriten gabimet e Varshavës, si rruga për të dalë faqebardhë në këtë sfidë të vështirë, ku për fat do të kthehen tifozët kuqezinj:

“Jemi të vetëdijshëm për lojën e zhvilluar në Poloni, bëmë gjëra të mira, por duhet të shmangim disa gabime. Te golat e pësuar nuk ishim të fokusuar sa duhet. Të mësojmë nga gabimet, nga golat e pësuar. Duhet të merrnim më shumë me lojën e treguar. Do mundohemi të japim më shumë ndaj Hungarisë dhe të kthehemi te fitorja.

https://www.youtube.com/watch?v=cm_Gx0R4CI0

Me siguri është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret. Edhe me Poloninë ishte e rëndësishme. Kemi mundësinë që, nëse fitojmë nesër, ta vazhdojmë ëndrrën tonë. Është vendimtare për ne, për Hungarinë dhe ndoshta edhe për Poloninë.

Pas ndeshjes në Poloni e dinim çfarë kishim bërë, të mirat dhe të këqijat. Ndeshja me Hungarinë do të thotë shumë; jemi të motivuar të luajmë mirë dhe të fitojmë. Një fitore do të na jepte besim për vazhdimësinë.

Mendoj se kombëtarja jonë ka bërë një hap të rëndësishëm para, duke shikuar lojërat që janë më të mira. Kemi personalitet në lojë, bëjmë gjëra të mira. Duhen eliminuar disa gabime, që shmangen. Hungaria është ekip i fortë, por nesër do të jetë një ndeshje e veçantë për të dyja kombëtaret. Mendoj se për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Respekt për Hungarinë, por do të futemi në fushë për fitore”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd