
Pas humbjes së thellë 4-1 në Varshavë, ndaj Polonisë, kombëtarja shqiptare ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shqipëri. Në orën 17:00, grupi kuqezi ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore.
Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë.
I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës, ndaj Hungarisë dhe San Marinos.
Ndërkaq, zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy futbollistët Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me Kombëtaren A, kanë udhëtuar në mbrëmje drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21.
Sot kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë, që do të luhet më 5 shtator në “Elbasan Arena”. Kujtojmë se tre titullarë janë të pezulluar për këtë ndeshje, pasi morën kartonët e radhës të verdhë në Poloni. Fjala është për Hysaj, Bare dhe Manaj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





