
Propozimi është publikuar nga Arsene Wenger në faqet e "L’Equipe": "Kampionatet Botërore dhe Europiane të luhen çdo dy vite". Ish-trajneri i Arsenalit, tani përgjegjës për zhvillimin e futbollit global në FIFA, do të donte t’i zvogëlonte distancat për ekipet kombëtare nga njëri edicion të tjetri nga katër në dy vite.
Në këtë mënyrë "lojtarët do të lejoheshin të qëndronin me klubin e tyre për të paktën shtatë muaj rresht. Një periudhë gjatë së cilës do t’iu kushtoheshin ekskluzivisht kualifikueseve, duke eleminuar ato tensione që ekzistojnë sot. Për shembull, do të ketë më pak udhëtime interkontinentale për lojtarët, ndërsa pas fazave finale do të kishte 25 ditë pushim”.
Për këtë arsye Kupa e Botës dhe Kampionati Europian mund të bëhen dyvjeçarë, duke filluar që në vitin 2028: "Njerëzit duan gara që janë të lehta për t’u kuptuar dhe ku ka një antagonizëm të lartë. Edhe vetë futbollistët nuk duan të luajnë ndeshje pa interes.
Ne duhet të kemi guximin të themi se bukuria dhe prestigji i një kompeticioni varet mbi të gjitha nga cilësia e vetë garës". Sidoqoftë, Wenger distancohet nga analogjitë me Superligën Europiane: "Superliga filloi nga parimi më negativ që mund të ekzistojë: nuk u bazua në cilësinë sportive, në rezultate, por në prestigjin e klubeve. Edhe ekipet e mëdha mund të zbresin poshtë dhe nëse e vret këtë, vritet vetë thelbi i garave".
Së fundi, Wenger komentoi kthimin e Cristiano Ronaldos te Manchester United: "Ai iu bindet jo vetëm motivimeve racionale dhe sportive, por edhe atyre emocionale. Është një histori dashurie. Të kthehem tek Arsenali? Ronaldo është 36 vjeç, unë jam 71…"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





