
Ivan Gazidis, CEO i Milanit, iu shkroi një letër punonjësve të klubit kuqezi. Ai ka mbi një muaj që po vijon betejën me kancerin në laring, duke marrë mjekime në një spital të SHBA, larg skuadrës nga “San Siro”. Më poshtë është teksti i plotë i letrës së ekzekutivit të lartë:
"Të dashur kolegë, me rastin e mbylljes së merkatos doja të ndaja këndvështrimin tim me ju dhe t’ju bëj disa përditësime mbi përparimin e rëndësishëm në fusha të ndryshme të klubit, duke parashikuar çështjet që ne do t’i eksplorojmë së bashku në TownHall, i planifikuar për javët e ardhshme.
Ne jemi të bindur se kemi bërë shumë mirë në merkato dhe e kemi forcuar ekipin në mënyrë efektive. Investimet e rëndësishme nga pronarët na kanë lejuar të konsolidojmë dhe zgjerojmë listën e ekipit të parë të meshkujve, në përputhje me strategjinë tonë që fokusohet në talentin e të rinjve, të mbështetur nga lojtarë më me përvojë.
Ne gjithashtu kemi forcuar ekipin e femrave dhe të rinjve. Gjatë merkatos së verës pamë një punë të shkëlqyer ekipore dhe për këtë falënderoj Paolo, Ricky dhe kolegët e shumtë të përfshirë. Është shumë e qartë se fryma e ekipit dhe besimi te Milani po rriten vazhdimisht, falë edhe udhëheqjes së Stefano Pioli dhe Maurizio Ganz.

Kjo demonstrohet nga fillimi emocionues që patëm në kampionat. Të dielën e kaluar u përballëm me sfidën e madhe të rihapjes së “San Siro”, pas protokolleve të reja shëndetësore. Jo një operacion i lehtë, por emocionet që tifozët tanë ndjenin kur ktheheshin në stadium u perceptuan ndërkombëtarisht, si rezultat i punës së palodhur dhe angazhimit për ta bërë përvojën në “San Siro” sa më të sigurt dhe emocionuese.
Entuziazmi i tifozëve tanë na stimulon të gjithëve dhe na tregon se sa shumë na ka munguar futbolli, siç e dinim. Faleminderit të gjithëve që e keni bërë të mundur këtë! Ne gjithashtu po ndërmarrim hapa të rëndësishëm nga pikëpamja komerciale, falë fillimit të partneriteteve të reja të rëndësishme, të cilat tani i shpallim pothuajse çdo javë.
Një rrugë zhvillimi që buron nga reputacioni ynë, i cili vazhdon të rritet dhe përmirësohet në mbarë botën. Milani, një markë dhe klub modern, i avancuar dhe i suksesshëm. Një perceptim i diktuar nga faktet: nga mënyra se si ne të gjithë veprojmë, përfaqësojmë dhe jetojmë me klubin tonë çdo ditë.
Dhe në fund më lejoni të them se terapitë që po iu nënshtrohem kanë efekte pozitive, ato më bëjnë të sigurt për shërim të plotë, që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur në detyrë. Mbështetja juaj ka qenë e jashtëzakonshme dhe demonstron thelbin e vërtetë të "familjes kuqezi". Prandaj, mos u shqetësoni për mua, por përqendrohuni në sfidat e ardhshme. Së shpejti do të jem përsëri pranë jush. Një përqafim i madh dhe gjithmonë forca Milan!"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





