
Djaloshi afgan, Murtaza Ahmadi, u bë i famshëm në vitin 2016, kur disa fotografi të tij bënë xhiron e botës përmes rrjeteve sociale dhe mediave. Në to ai shfaqej me një fanellë të bërë prej qeseje plastike, me emrin e futbollistit Leo Messi dhe numrin e tij, 10, të shkruar mbi plastmas.
Tani është fshehur në Kabul nga frika e mundshme e hakmarrjes së talebanëve. "Unë jam i bllokuar në shtëpi dhe nuk mund të dal jashtë, sepse kam shumë frikë nga talebanët, – tha i riu, raporton “Marca”.

– Dua të udhëtoj në një vend të sigurt, larg nga Afganistani. Ju lutem më shpëtoni nga kjo situatë". Një lutje e Murtaza, i cili i përket pakicës Shiite, mjaft e sulmuar, një objektiv i vazhdueshëm i sulmeve, veçanërisht nga grupi xhihadist “Shteti Islamik”.
Familja e djalit dhe vetë Murtaza thonë se ndonjëherë gjatë natës zgjohet duke bërtitur nga frika e kryengritësve: "Në ëndrrat e mia shoh që talebanët po vijnë, duke trokitur në derë dhe duke më bërtitur”.

"Çfarë do të ndodhë me ne? Tashmë ishim të kërcënuar qysh kur Murtaza u bë i famshëm me fanellën që i erdhi e firmosur nga vetë Leo Messi", – pyet Mahdia Ahmadi, motra 22-vjeçare e djaloshit afgan, e cila shpjegoi se kur mbërritën në Kabul dy muaj më parë, qyteti ishte i sigurt.
Ata madje kishin policë dhe ushtarë që i mbronin: “Tani nuk kemi askënd. Sa herë që troket dikush në derë, Murtaza mendon se janë talebanët dhe vrapon drejt meje ose nënës sime për t’u fshehur".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





