
Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, foli për mikrofonat e “Radio Kiss Kiss Napoli”, duke analizuar kampionatin e Serie A që sapo ka filluar në të gjitha aspektet e tij. E filloi nga Roma e trajnerit të tij të “tripletës”, Josè Mourinho:
"Unë e ndjek kampionatin me një vëmendje të madhe, Mourinho ka ringjallur Serie A, e filloi shumë mirë. Gara e titullit ka një ekip pretendent më shumë. Roma do të synojë titullin. Dikush si Mourinho nuk luan për vendin e tretë. Josè nuk do ta thotë kurrë, por është aty, duke luftuar për titullin".
Pastaj kalon tek analiza e skuadrës aktuale të Interit dhe trajneri i ri, Simone Inzaghi: "Me durim dhe inteligjencë ai ka gjetur lojtarë, që janë funksionalë për lojën e mirë që po shohim. Përqafimi me Correa dëshmon për këtë".
E pashmangshme, duke pasur parasysh radion me të cilën foli, një pyetje për Napolin, duke pasur parasysh se napolitanët kanë edhe një ish-trajner të Interit: "Spalletti është shumë i mirë dhe Napoli ka lojtarë klasi, Insigne mbi të gjitha. Unë besoj se axurrët do të jenë në gjendje të luftojnë për titullin. Kampionati do të jetë argëtues, i bukur dhe emocionues”.

Duke folur për Lorenzo Insigne, ai është ëndrra aktuale e ndaluar e një romantiku të futbollit si Moratti: "Po, do të doja ta shihja me fanellën e Interit. Do të më pëlqente, do të kishte bërë mirë, jam i sigurt për këtë. Lorenzo është lojtar vërtet i mirë”.
Sa iu përket aksioneve popullore të “Interaspac”, Moratti e mendon kështu: "Unë nuk e di nëse do të jetë e mundur për ta menaxhuar, por besoj se e ardhmja e Interit do të bazohet te pasioni. Dhe lëvizja popullore e aksioneve është pasion. Ne do të shkojmë hap pas hapi, për momentin është e rëndësishme të jemi të pranishëm”.
Së fundi, krahasimi midis dy Ronaldo-ve, ai "i vërteti", që është Fenomeni, i cili luajti për Interin nga viti 1997 deri më 2002, dhe Cristiano Ronaldo, i cili u largua së fundi nga Juventusi, Serie A dhe Italia: “Në Itali ne pamë Ronaldon dhe Cristiano Ronaldon. Ata janë lojtarë të ndryshëm, por Fenomeni është ndër 4-5 sulmuesit më të fortë në historinë e futbollit. CR7 është i bërë nga puna, ka merita, ka bërë mirë, por nuk ka talentin e Ronaldos. Braziliani ishte një privilegj i vërtetë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





