Transmetuar më 01-09-2021, 07:47

Kylian Mbappé hodhi poshtë një ofertë të dytë rinovimi të PSG me vlerë 45 milionë euro neto në sezon, një pagë më e lartë se ajo e Leo Messi dhe Neymar. Këtë gjë e raportoi të martën në faqen e internetit “Le Parisien”.

Disa orë para mbylljes së tregut të transferimeve, shtypi francez supozonte se Mbappé do të qëndrojë dhe nuk do të shkojë te Real Madridi, edhe pse “Le Parisien”, një gazetë me burime të sigurta brenda PSG, zbuloi ofertën e fundit për rinovimin e kampionit të Botës më 2018.

E kemi fjalën për 45 milionë të pastra për lojtarin, pagë që do ta vendoste përpara Messit (rreth 40 milionë) dhe Neymar (35 milionë). Kjo ofertë nënkuptonte marrëveshje të re 2-vjeçare të Mbappe, deri në vitin 2024. Oferta e parë, sipas “L’Equipe”, ishte 25 milionë neto në vit, deri më 2026.

PSG kërkon të rinovojë me yllin francez, kontrata e së cilës përfundon më 30 qershor 2022, në mënyrë që të mos e shohë atë të largohet pa kompensim financiar. Në më pak se katër muaj, Mbappe mund të angazhohet me parakontratë me ndonjë klub tjetër, pas asnjë detyrim ndaj PSG.

Ndërkohë, Real Madridi ka bërë një ofertë të minutës së fundit për Kylian Mbapé prej 220 milionë eurosh. Sipas “Sky Sports”, klubi parizien ka refuzuar t’i përgjigjet këtij propozimi, në të njëjtën mënyrë siç bëri kur mori ofertën pararendëse prej 170 + 10 milionë euro. PSG mbetet jo fleksibël përballë këtyre përpjekjeve të “Los Blancos”, edhe pse ka rrezikuar gjithçka tashmë, sepse mund ta humbasë falas nga janari e tutje Mbappe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd