Transmetuar më 31-08-2021, 22:43

Është e paqartë përse qeveria amerikane nuk ka dhënë fonde për të mbuluar plotësisht kostot e jetesës së 4 mijë afganëve më Shqipëri, përderisa Kosova, siç deklaroi kryeministri Albin Kurti, ka marrë nga qeveria amerikane të gjithë financimin e nevojshëm për pritjen e afganëve që nisën të mbërrijnë atje

TIRANË – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se afganët që kanë mbërritur dhe pritet të vijnë, po mbahen nga buxheti i shtetit, duke theksuar se vendet e pasura nuk po japin asgjë për ta.

Pohimi i Ramës u bë në BBC ku ai dha një intervistë për shkak se rreth 4 mijë shtetas afganë pritet të strehohen përkohësisht në Shqipëri.

Rama tha se ata janë të mirëpritur të qëndrojnë edhe më shumë, madje edhe përgjithmonë, duke theksuar se shqiptarët janë me zemër të pasur dhe se po ndihmojnë njerëz në nevojë.

Rama pohoi se afganët do të rrojnë gjatë në Shqipëri, jo për pak muaj deri në një vit sa u tha, por për vite, pasi siç tha ai, "me kaq shumë njerëz që po aplikojnë për viza amerikane, do të duhet të rrinë më gjatë se sa ishte thënë".

Duke i vënë theksin faktit sipas tij se nuk po ndihmohen nga askush, Rama tha se "ne nuk jemi vend i pasur, por kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz".

Kurse theksoi se nuk ka kurrfarë mbështetjeje nga vendet e pasura: "Nga vendet më të pasura? Jo. Ne për momentin po mbështetemi tek bashkëpunimi tek njerëzit që kanë zemër të pasur. Është një numër i konsiderueshëm nga SHBA dhe Britania që e kanë zemrën e pasur. Kemi një shprehje në Shqipëri, ‘bukë kripë e zemër’. Kurrë nuk do t’i mungojë buka, për pjesën tjetër do t’ia dalim. Ne mirëpritëm gjysmë milioni nga Kosova. 500 mijë nga vëllezërit tanë erdhën në Shqipëri, në atë kohë ishim më të varfër dhe në kushte më të vobekëta. U pasuruam më shumë moralisht dhe në shpirt".

Sipas tij, disa organizata joqeveritare po kontribuojnë për afganët në Shqipëri, por Rama nuk dha detaje shtesë.

Është e paqartë përse qeveria amerikane nuk ka dhënë fonde për të mbuluar plotësisht kostot e jetesës së 4 mijë afganëve më Shqipëri, përderisa Kosova, siç deklaroi kryeministri Albin Kurti, ka marrë nga qeveria amerikane të gjithë financimin e nevojshëm për pritjen e afganëve që nisën të mbërrijnë atje. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd