
Dalin detaje të reja mbi goditjen e fundit të merkatos; kthimin e Cristiano Ronaldos te Manchester United. Ish-sulmuesi i Juventusit, ende në pritje të ekzaminimeve mjekësore dhe nënshkrimit në “Old Trafford”, ka pranuar një ulje të pagës që merrte te bardhezinjtë, në mënyrë që të kthehej te “Djajtë e Kuq”.
Sipas "Mail on Sunday", në fakt, Ronaldo te Manchester United do të fitojë pak më shumë se 23 milionë euro në sezon përkundrejt 31 milionëve që i garantonte Juventusi.
Ndërkohë, “The Sun” zbulon një qëllim tjetër, pse u kthye portugezi aty ku u largua para 12 vitesh. Nuk është vetëm topi dhe dëshira për ta shtuar më shumë llogarinë bankare. 36-vjeçari po mendon për atë që do të vijë pas karrierës së tij si futbollist.
Ai e di mirë se mundësitë e ofruara nga Mbretëria e Bashkuar jashtë fushës janë të jashtëzakonshme për të bërë biznes. Në fakt, CR7 synon të hapë një hotel tjetër luksoz në Manchester, pas atyre që tashmë kanë filluar punë në Lisbonë, Madeira, Nju Jork dhe në Gran Via të Madridit, me inaugurimin e planifikuar në fillim të vitit 2023.
"Ai është shumë i përfshirë në këtë projekt, – shpjegon ‘The Sun’. – Hoteli i ri do të vendoset në një zonë ekskluzive të qytetit, në cep të Piccadilly dhe Newton Street; do të ketë 150 dhoma dhe një bar, me pamje të mrekullueshme.
Projekti përfshin investimin prej 31 milionë eurosh, prishjen e një ndërtese të zbrazët prej rreth 20 vitesh dhe ndërtimin e hotelit me 5 yje aty, si pjesë e markës “Pestana”, të cilës Cristiano iu bashkua më 2015.





