
Kur bëhet fjalë për përcaktimin e impaktit të një lige futbolli, sa e rëndësishme është renditja e UEFA-s? Mjaft, do të thoshte dikush, sikur të mos ishte një mjet i përsosur për vlerësimin e disa aspekteve.
Le të fokusohemi te Ligue 1, e cila u parakalua nga “Primeira Liga” e Portugalisë si kampionati i pestë më i rëndësishëm i futbollit në Europë. Natyrisht, nuk mund të jetë faji i PSG për këtë pozicionim të kampionatit francez, sepse në vitet e fundit i është afruar gjithmonë fitimit të Ligës së Kampionëve.
Pastaj, kjo renditje sigurisht nuk vendos se sa njerëz do të shikojnë ndeshjet e një lige dhe, rrjedhimisht, sa do të jenë të gatshëm të paguajnë për të fituar të drejtat televizive. Dhe për këtë, Ligue 1… bëri bingo të dielën.
Ardhja e Leo Messit te PSG ishte një top-goditje për klubin parizien, i cili as nuk duhej të paguante kartonin e atij që shumëkush e konsideron futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave. Edhe Ligue 1 përfitoi shumë nga ky transferim i argjentinasit, si nga pikëpamja e interesit të medias, ashtu edhe ajo e spektatorëve.
Gerard Pique, i cili di më shumë për biznesin se sa gjërat e fushës së blertë, tashmë ka blerë të drejtat e Ligue 1 për territorin spanjoll. Ai e ofroi debutimin e Messit falas, përmes platformës Twitch. Gjithsesi, jo vetëm jashtë vendit ka një dëshirë të madhe për të parë argjentinasin.

Në Francë, biletat e ndeshjeve jashtë të PSG janë të destinuara të bëhen një gjë e rrallë, siç janë ato për ndeshjet në “Parce des Princes”. Dhe kush nuk e siguron dot biletën për në stadium, çfarë i mbetet të bëjë ai? E thjeshtë, ndez televizorin.
Siç shpjegon “L’Equipe”, pikërisht këtë gjë kanë bërë më shumë se 10 milionë francezë, duke parë Reims-PSG. Në fakt, interesi maksimal lidhej me debutimin e Messit me fanellën e tij të re. Mision i kryer më së miri dhe rekordi i parë i vogël, por domethënës për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Debutimi i tij i së dielës u bë menjëherë ndeshja më e shikuar në televizion në historinë e Ligue 1 (kampionatit francez). Sigurisht, ballafaqimi i PSG me modestët e Reims nuk mund të bëhej ndeshja më e shikuar për interesin e saj sportiv, kompetitiv, pasi nuk ka valencat e Ligës së Kampionëve apo trofeve të Francës.
Ndikoi debutimi i Messit, pa diskutim. E sigurt është që ndeshja e Champions-it, PSG kundër Manchester City, do të rishkruajë një tjetër rekord në renditjen e audiencës…





