
Kombëtarja shqiptare ka filluar përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të radhës në Poloni, teksa do të luajë kundër këtij kundërshtari më 2 shtator. Trajneri Edy Reja dhe të tijtë kanë para një detyrë tejet të vështirë, të marrin pikë ndaj Robert Lewandowski dhe shokëve të tij.
Më pas, Shqipërinë e presin dy ndeshjet e tjera radhazi në shtëpi, me Hungarinë dhe San Marinon. Pra, dhjetë ditët e para të shtatorit do të krijojnë një fotografi të qartë të shanseve tona për kualifikim në “Katar 2022”. Në konferencë për shtyp, sot dolën Berat Gjimshiti dhe Jurgen Gjasula. I pari u shpreh:
“Ka qenë një sezon shumë i gjatë, sidomos për mua, personalisht. Kemi zhvilluar shumë ndeshje me klubin dhe kombëtaren. Kemi pasur nevojë për këtë pushim, për t’u rikuperuar. Me kombëtaren kemi bërë hapa para, në këto tri ndeshje do të shohim si do të dalim. Do të japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë.
Sigurisht që besoj te suksesi ndaj Polonisë. Kemi bërë hapa pozitivë. Duhet të kemi shumë respekt për Poloninë, pasi ka lojtarë që janë ndër më të mirët në botë. Duhet të shohim skuadrën tonë, të marrim rezultatit pozitiv.
Dueli me Lewandowski? Nuk ka shumë për ta studiuar. Të gjithë i shohin më të mirët, Leëandoëski po shënon gola edhe te Bayerni. Do të jetë një duel shumë i bukur. Do të jap maksimumin tim, të shohim si do të dalë.
Duhet të mos kemi frikë ndaj Polonisë, por respekt. Nëse frikësohesh, bën gabim në këtë punë. Të gjithë lojtarët kanë fituar përvojë. Kur luan ndaj lojtarëve të nivelit kaq të lartë rritet edhe vetëbesimi për secalin prej nesh. I gjithë ekipi ka eksperiencë. Çdo fitore të jep motivim më të madh. Sa iu përket tifozëve, jam mjaft i lumtur që do të kthehen në stadium, sepse na kanë munguar shumë”.
https://www.youtube.com/watch?v=IL48-bJ52qA
Nga ana e tij, Klaus Gjasula vijoi në të njëjtën linjë, duke apeluar për respekt dhe përqendrim ndaj polakëve, por kurrsesi frikë: “Ndihem gjithmonë gati për kombëtaren. Është e rëndësishme të kem minuta në fushë. Për këtë arsye kam kaluar te një klub më i vogël për të luajtur më shumë. Ndeshjet e fundit kanë treguar se po rritemi bashkë. Më e rëndësishme është që t’i fitojmë ndeshjet.
Fryma është e mirë, ashtu si miksimi i lojtarëve veteranë me më të rinjtë. Kemi mesfushë të mirë, secili ka cilësitë e veta. Nuk e kam ndier që jemi dobët në një repart të veçantë. Ndeshja nuk fitohet duke qenë mirë në një repart. Duhet të punojmë bashkë e të japim maksimumin.
Polonia ka shumë përvojë dhe cilësi, ka lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. E dimë që është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Duhet të kemi respekt, por frikë asnjëherë. Duhet që gjithsescili të japë maksimumin, i kemi mundësitë për të marrë rezultat të mirë. Duhet ta kemi mendjen te vetja, jo te kundërshtari.
Çdo futbollist është i lumtur kur vijnë tifozët, kështu e kemi mësuar futbollin. Sidomos për ne është shumë e rëndësishme të kemi tifozët dhe të bëjmë paraqitje sa më të mira. Shpresojmë ta lëmë grupin të hapur, pra të kemi mundësi për t’u kualifikuar. Duhet të marrim sa më shumë pikë, pastaj të shohim”.





