Transmetuar më 30-08-2021, 14:32

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kastriot Dermaku, kthehet të veshë fanellën e Lecce, pas huazimit te kjo skuadër e Serie B, sezonin e kaluar.

Shtatlarti është shitur përfundimisht nga Parma, që posedonte kartonin e tij, ndërsa Lecce ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit kuqezi. Më poshtë është njoftimi zyrtar për shtyp:

"Lecce njofton se ka fituar përfundimisht të drejtën për shfaqjet sportive të futbollistit Kastriot Dermaku nga Parma Calcio. Mbrojtësi shqiptar ka nënshkruar një marrëveshje 3-vjeçare”.

Kujtojmë se Dermaku nuk është thirrur nga trajneri Edy Reja për tri kualifikueset e shtatorit, ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos. Në konferencën për shtyp, kryepankina kuqezi shpjegoi se futbollisti në fjalë ishte i dëmtuar, jo se është lënë jashtë për zgjedhje taktike.

Mbetet të shihet tashmë si do të jetë karrierë e tij te Lecce, ku e kreu “zborin” sezonin e kaluar dhe u paraqit mjaft mirë. Jo më kot klubi i Serie B ngulmoi që ta blinte, i bindur përfundimisht mbi cilësitë e shtatlartit të kombëtares shqiptare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd