Transmetuar më 30-08-2021, 13:16

Në një intervistë me radion spanjolle Cope, që do të transmetohet të mërkurën, sikurse shkruan “R.SH. – Vatikan”, Papa Françesku flet për shëndetin e tij, pak ditë para nisjes për në Hungari e Sllovaki. Ai deklaron se një infermier i shpëtoi jetën gjatë operacionit të tij të fundit në spitalin Gemelli të Romës. Kjo është hera e dytë, që i ndodh një gjë e tillë.

Në një fragment të shkurtër të intervistës për radion spanjolle Cope, që tashmë është botuar në internet, por do të transmetohet e plotë të mërkurën, më 2 shtator, dëgjohet Ati i Shenjtë që bën shaka për shëndetin e tij. Duke iu përgjigjur pyetjes “si jeni”, ai pohon se është “ende gjallë”, se një infermier (që e kuptoi se diçka nuk shkonte) i shpëtoi jetën:

“Ishte një person me shumë përvojë. Është hera e dytë në jetën time që një infermier më shpëton jetën. E para ndodhi në vitin 1957”. Papa i referohet operacionit në mushkëri, kur ishte 21 vjeç. Edhe atëherë, një murgeshë italiane, infermiere, i ndërroi ilaçet, duke kundërshtuar mjekët.

Në intervistën që zgjat 1 orë e gjysmë dhe do të transmetohet në orën 08.00, siç njofton radio Cope, trajtohen shumë çështje, ndër të cilat edhe spekulimet për shëndetin e Papës e madje, edhe për dorëheqjen e tij të mundshme, publikuar nga një gazetë italiane, të cilave, Ati i Shenjtë iu përgjigjet: “Kur një Papë sëmuret, ngrihet një erë, ose një uragan Konklavi”.

Papa 84-vjeçar u operua më 4 korrik në poliklinikën Gemelli për një stenozë divertikulare, ndërhyrje në të cilën iu hoq një pjesë e zorrës së trashë. Ai qëndroi në spital 10 ditë. Kohët e fundit, Papa Françesku duket se e ka marrë veten plotësisht, megjithëse në audiencën e së premtes së kaluar me parlamentarët katolikë pohoi se nuk mund të fliste në këmbë, pasi është akoma në periudhën pas operacionit dhe duhet të qëndrojë ulur. “Më falni”, – iu tha atyre.

Pavarësisht nga kjo, më 12 shtator, Papa do të shkojë në Hungari e Sllovaki, në një udhëtim 4-ditor. Në Budapest kremtohet mesha përfundimtare e Kongresit të 52-të Eukaristik Ndërkombëtar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd