Transmetuar më 29-08-2021, 23:59

Gjysma e njerëzve të infektuar me koronavirusin e ri Sars-Cov-2 po vuajnë edhe një vit më pas probleme të ndryshme shëndetësore.

Kjo zbulohet nga një studim i ri i botuar në revistën The Lancet që hedh dritë mbi pasojat e sëmundjes në mbi 1,200 njerëz të shtruar në një spital në Wuhan gjatë valës së parë të pandemisë.

Simptoma të tilla si lodhja e vazhdueshme ishin më të zakonshmet në 49 % të pacientëve. Pothuajse një në tre ende vuan nga gulçimi dhe sëmundjet e mushkërive, raporton noa.al që citon revistën kryesore të shëndetit në botë.

"Pothuajse gjysma e personave të shëruar nga format e Covid-19 të cilët ishin shtruar në spital, vazhdojnë të kenë probleme shëndetësore një vit pas infektimit", qartëson The Lancet. Ajo shkruan se pacientët e vëzhguar ishin në sspitali Jin Yin-tan në Wuhan, Kinë, midis 7 janarit dhe 29 majit 2020.

Sipas studiuesve, te 20% e gjysmës së pacientëve që ende vuajnë pasojat e Kovidit, simptoma të tilla si lodhja dhe dobësia e muskujve janë ndër më të zakonshmet.

Ankesa të tjera më të shpeshta përfshinin probleme të gjumit (17%), dhimbje të kyçeve (12%), rënie flokësh (11%). Gjithashtu raportohen dhimbje gjoksi (7%), marramendje (5%), zhdukje ende e nuhatjes (4%), humbje ende e shijes (3%), rënie e oreksit (3%), irritim lëkure (3%) dhe dhimbje koke (2%).

Sondazhi gjithashtu tregoi se, në krahasim me burrat, gratë kanë 1.4 herë më shumë të ngjarë të raportojnë lodhje ose dhimbje të muskujve; dy herë më shumë gjasa të raportojnë ankth ose depresion dhe gati tre herë më shumë gjasa të kenë dëmtim të rrugëve pulmonare.

Njerëzit që ishin trajtuar me kortikosteroide kishin 1.5 herë më shumë gjasa të përjetonin lodhje ose dobësi të muskujve pas 12 muajsh sesa ata që nuk ishin trajtuar me kortikosteroide gjatë sëmundjes së tyre.

"Edhe pse shumica e pacientëve janë shëruar, disa probleme shëndetësore vazhdojnë, veçanërisht në mesin e atyre që kanë përjetuar Covid të rëndë gjatë qëndrimit të tyre në spital", – tha Bin Cao nga Qendra Kombëtare Pulmonare Kineze dhe autori kryesor i studimit.

"Rezultatet tona sugjerojnë se shërimi, për disa pacientë do të marrë më shumë se një vit dhe kjo duhet të merret parasysh në planifikimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore post-pandemike”.

Në Shqipëri nuk ka asnjë publikim të ngjashëm dhe nuk jepen zyrtarisht informacione mbi pasojat që u mbeten të infektuarve të mhijetuar, por shumë njerëz kanë treguar se po vuajnë dhe shumë muaj pas shërimit, pasoja nga më të ndryshmet, sidomos humbja e shijes dhe nuhatjes. /noa.al

/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd