
Pas pak më shumë se 24 orësh nga lamtumira zyrtare e Cristiano Ronaldos, i cili vendosi të kthehet te Manchester United, bardhezinjtë kanë siguruar tashmë zëvendësuesin.
Profili i zgjedhur nga klubi, së bashku me trajnerin Allegri, është një djalë që tashmë ka kaluar nëpër radhët e “Zonjës së Vjetër”, duke lënë një kujtim të shkëlqyer aty; Moise Kean. Ai zbarkoi në Torino dje për t’u bërë përsëri lojtar i Juventusit.
Sulmuesi, i cili u kthye tek Evertoni pas sezonit në huazim te PSG, u konsiderua lojtari ideal për një Juventus të ri, por në të njëjtën kohë ambicioz. Një pikë në dy ndeshjet e para të kampionatit të ri, barazimi në Udine dhe humbja kundër Empolit në shtëpi, dëshmon vështirësitë që po has skuadra torineze. Zgjidhja u pa te kthimi i Kean.
Negociatat arritën një pikë kthese, palët siguruan marrëveshje. Sulmuesi mbërriti në “J Medical” pasditen e së dielës për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të zakonshme mjekësore, që i paraprijnë kompletimit të operacionit si vijon: huazim 2-vjeçar me detyrimin për ta blerë për 20 milionë euro. “Kean-bis” te Juventusi merr kësisoji formë.
21-vjeçari nga Piemonte, i cili u paraqit mjaft mirë te PSG, por disi çuditshëm nuk u thirr për Kampionatin Europian të fituar nga Italia, luajti 21 ndeshje dhe shënoi 8 gola me fanellën e Juventusit, në eksperiencën e parë bardhezi. Sezonin e kaluar shënoi 17 gola me PSG, periudhë në të cilën u pjek si lojtar dhe u bë sulmues i spikatur, megjithëse i rrethuar nga kampionë si Neymar, Mabppè, Di Maria etj.
Tani i vjen mundësia e shpërthimit përfundimtar te Juventusi, skuadra me të cilën u rrit, por që fillimisht nuk i besoi 100%, ndaj e shiti tek Everton. Pas aventurave në Premier League dhe Ligue 1, Kean duhet të “shenjtërohet”në sezonin 2021-2022.





