
Policia e Lezhës ka arrestuar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin me vdekje në fshatin Manati të Lezhës ditën e djeshme.
Në pranga ka përfunduuar Nikoll Gjoni, parakalimi i gabuar i të cilit bëri që automjeti që drejtonte të përplasej me bordurën anësore dhe për pasojë të humbte jetën pasagjeri që po udhëtonte me të, 38-vjeçari Paulin Gjomarkaj.
Më poshtë keni dhe videon e aksidentit të frikshëm:
Në pamjet e kamerave të sigurisë duket momenti kur 38-vjeçari futet në parakalim, por më pas humbet kontrollin e makinës nga shpejtësia duke u përplasur me bordurën anësore dhe fluturuar në ajër për disa metra.
Goditjet që pësoi Gjomarkaj ishin fatale duke ndërruar jetë në vend.
Pasagjeri që ishte me 38-vjeçarin në makinë dhe që shpëtoi tha se në momentin e aksidentit shoferi devijoi për të shmangur një përplasje me një këmbësor.
Gjithashtu Policia Rrugore në Lezhë ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Bajram Reka, 45 vjeç, banues në Prizren, i cili u kap duke i dhënë mjetit në gjendje të dehur.

Njoftimi i Policisë:
Lezhë
Vihen në pranga 2 drejtues mjetesh.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Bajram Reka, 45 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, pasi në vendin e quajtur “Lapidari”, Shëngjin, është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.13 mg/l.
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Manati, Lezhë, ku humbi jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj, i cili u dha paraprakisht si drejtues mjeti, nga veprimet hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar së drejtuesi i automjetit ka qënë shtetasi Nikoll Gjoni, i cili pas një parakalimi të gabuar, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me sinjalistikën rrugore e më pas me një grumbull gurësh dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Nikoll Gjoni, 27 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.





