Transmetuar më 28-08-2021, 09:46

Policia në Bulqizë tha sot se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesnatën e djeshme, ku automjetit të Elton Debreshit iu vendos një sasi lënde plasëse.

Policia tha se u arrestua në flagrancë shtetasi A. Debreshi, 29 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin tip ‘Mercedez Benz’, në pronësi të vëllait të tij Elton Debreshi, raporton noa.al.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.

Ngjarja ndodhi dje kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi.

Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Sipas policisë, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas fqinjëve, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe një pjesë e murit në afërsi të mjetit të parkuar është rrëzuar.

Prej nëntorit 2019, Elton Debreshi është zgjedhur kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Pas një vale protestash në dhjetor 2019, ai u shkarkua nga puna në kompaninë Albchrome. Debreshi kandidoi si i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, por nuk arriti të zgjidhej deputet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd