
Gareth Southgate, trajneri i Anglisë, zbuloi gjatë konferencës për shtyp, ku publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës (Katar 2022), se kishte marrë abuzime dhe letra shumë ofenduese për mbështetjen e fushatës së vaksinimit anti Covid-19 në tokën angleze, në korrik.
Trajneri i “Tre Luanëve” u shfaq në një video të publikuar nga qeveria britanike muajin e kaluar duke u bërë thirrje të rinjve të marrin vaksinën. Tekniku, me atë rast, tha: "Është mundësia që gjithçka të hapet, të rifitoni lirinë tuaj. Nëse nuk e keni marrë ende vaksinën, shkoni dhe bëjeni".
Një fushatë normale, por Southgate nuk e kishte pritur të bëhej objekt i kaq shumë kritikave dhe abuzimeve, siç zbuloi ai vetë: "Fushata e vaksinimit kundër Covid? Tani nuk do të përfshihem shumë në këtë histori.
Në korrik më kërkuan të bëja një video në mbështetje të programit të vaksinimit, çka mendova se tregon përgjegjshmëri, por për këtë jam abuzuar gjatë gjithë verës. Kishte shumë pakënaqësi ndaj meje, prej asaj videoje u abuzova pa fund.
Kur iu ekspozoheni temave të caktuara, si vaksina ose gjunjëzimi kundër racizmit, e dini që pozicioni juaj nuk do t’iu pëlqejë të gjithëve, por tani nuk dua të them më shumë. Sinqerisht, nuk jam ai që duhej t’i hapte dhe lexonte tërë ato e-maile ofenduese, por sekretari im, që kishte vërtet shumë për të bërë".





