Transmetuar më 27-08-2021, 20:48

Në Kosovë, shtetasi Gjelal Dobroshi po kërkon përmes gjykatave 3 mijë e 100 euro nga Ministria e Punëve të Brendshme, si kompensim për dhunën e policisë gjatë një episodi të ndodhur në vitin 2010.

Ministria e Brendshme e Kosovës është mbrojtur duke deklaruar se padia duhet të ngrihet ndaj policit që ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe jo ndaj institucionit.

Bazuar në padinë e ngritur, më 6 korrik 2010 rreth orës 11:15, në Pejë, në ish-Gjykatën për Kundërvajtje, Dobroshi ishte duke pritur në korridor nipin e tij, Shkodran Matoshin.

Ai i është drejtuar Bekim Muçës, në atë kohë efektiv i Policisë së Kosovës duke i thënë “pse i ka rrahur nipin”. Në padi, ai pretendon se në këtë moment Muça i është afruar dhe e ka goditur në fytyrë dhe gjoks, ku ka pësuar frakturë të nofullës së djathtë dhe çarje të dy brinjëve të gjoksit.