
Wayne Rooney thotë se ish-shoku i skuadrës, Cristiano Ronaldo, nuk do të guxonte të bashkohej me Manchester City këtë merkato, duke errësuar trashëgiminë e tij te Manchester United, megjithëse raportet e fundit sugjerojnë se një lëvizje e tillë është e mundur dhe pranë finalizimit.
Rooney, vetë një legjendë e Manchester United, fitoi tre tituj të Premier League së bashku me Ronaldon në dekadën para ngritjes së Manchester City në krye të futbollit anglez. Dhe si dikush që e njeh mirë Ronaldon, Rooney nuk mund ta shohë sulmuesin e Juventusit të bashkohet me rivalët e egër të “Djajve të Kuq”.
Megjithatë, Ronaldo thuhet se nuk ndjehet mirë te Juventusi dhe është i interesuar për një ndryshim të peizazhit. “Qytetarët” janë nga klubet e pakta që mund ta përballojnë pagën e tij.
"Unë mendoj se Cristiano ka një trashëgimi shumë të mirë te Manchester United dhe e di se sa krenar është si lojtar dhe person, – tha Rooney për talkSPORT. – Nuk mund ta shoh atë të bashkohet me Manchester City, por në futboll kurrë nuk e dini çfarë ndodh.

Ka pasur disa që e kanë bërë këtë, por askush në nivelin e Cristianos. Natyrisht, Peter Schmeichel dhe Andy Cole, por unë thjesht nuk mund ta shoh si një opsion të vërtetë për Ronaldon. Sigurisht, financiarisht ai nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Mendoj se ka më shumë gjasa që të shkojë te PSG”.
Rooney, tani trajneri kryesor i Derby County, gjithashtu theksoi se në asnjë rrethanë, ai vetë nuk do të kalonte te Manchester City: "Duhet të bëni atë që është e drejtë për ju si person, për familjen tuaj. Të gjithë e dinë që unë kurrë nuk mund të luaja për Liverpool apo Manchester City. Është e qartë, por të gjithë janë të ndryshëm.
Unë mendoj se njerëzit lëvizin në klubet ku nuk duan nga pikëpamja financiare, sepse mund të jetë opsioni i vetëm që kanë, kështu që mund ta marr atë nga këndvështrimi i disa lojtarëve. Por, për sa i përket vetes, ky thjesht nuk do të ishte një opsion".





