
"Unë thashë që në fillim se doja të vija këtu". Xherdan Shaqiri (29 vjeç) e nisi kështu prononcimin e tij të parë si lojtar i ri i Lyon-it, pasi deklaroi në frëngjisht se do ta mbante konferencën për shtyp në gjuhën angleze.
Shqiptari i Zvicrës e di se bëhet pjesë e një projekti të mrekullueshëm në Lyon, ka një trajner të mirë si Peter Bosz, të cilin e pëlqen shumë: “Dua të bëhem më i mirë dhe të fitoj shumë tituj. Lyon është një klub i rangut të lartë në Francë, që gjithashtu dëshiron të jetë i suksesshëm në Champions".
Drejtori sportiv i Lyon, Juninho, e sheh Shaqirin si lojtarin e duhur për të fituar titullin: "Uria e tij për titull dhe këmba e majtë janë arsyet pse e sollëm këtu".
Sidoqoftë, për të qenë në gjendje të fitojë trofe, disa komponentë janë vendimtarë. “Çdo skuadër ka nevojë për lojtarë të mirë. Me Emerson, të cilin e njoh mirë nga Premier League, keni siguruar një tjetër top-lojtar”, – thotë Shaqiri.

Për më tepër, 29-vjeçari e di se çfarë pritet prej tij: "Unë dua ta ndihmoj ekipin në fushë dhe të sjell një mentalitet të caktuar fituesi, për t’u kthyer tifozëve atë që meritojnë".
Ky ndryshim dukej se ishte në horizont për një kohë të gjatë: "Unë kam qenë në kontakt me Lyon qysh një vit më parë”. Një arsye tjetër pse ai po shkon në Francë, te gjysmëfinalisti i Champions-it të sezonit të kaluar, është afërsia me familjen e tij në Zvicër: "Ishte 100 për qind e qartë për mua se doja të vija këtu".
Për të qëndruar në temën e Zvicrës… Ylli ynë i kombëtares helvete i uron Vladimir Petkoviçit çdo të mirë me Bordo dhe e falënderon për kohën e madhe të kaluar së bashku. Dhe çfarë mendon ai për trajnerin e ri të ekipit kombëtar? “Fola me Murat Yakin në telefon të martën. E njoh atë shumë mirë dhe mezi pres të punoj me trajnerin e ri".
Së fundi, mbetet edhe një pyetje: A do të luajë Shaqiri kundër Nantes, të premten? “Nuk mund ta them për momentin nëse do të luaj. Ende më duhet të bëj disa trajnime. Por shpresoj të jem gati së shpejti", – saktëson mesfushori-sulmues.





