
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se talebanët u kanë premtuar se do të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen nga Afganistani edhe përtej 31 gushtit, kur një transport ajror i kontrolluar nga SHBA do të përfundojë.
"Talibanët kanë marrë angazhime publike dhe private për të siguruar dhe lejuar kalimin e sigurt për amerikanët, për shtetasit e vendeve të treta dhe afganët, edhe pas 31 gushtit," tha ai.
Ai shtoi se SHBA do të ndihmonte ata që donin të largoheshin nga Afganistani "jo vetëm gjatë kohëzgjatjes së misionit tonë të evakuimit dhe zhvendosjes, por çdo ditë më pas".
Blinken tha se Uashingtoni dhe aleatët e tij presin që talebanët të kenë "një përgjegjësi për të mbajtur ndaj këtij angazhimi", citon noa.al.
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë ende në rrugën e duhur për të përfunduar operacionet në aeroportin e Kabulit deri në fund të muajit.
Megjithatë ende ka mijëra njerëz brenda dhe jashtë aeroportit që duan të fluturojnë.
Më shumë se 82,000 vetë janë larguar me avionë nga Kabuli, pasi ra në duart e talebanëve 10 ditë më parë.
Rreth 19,000 njerëz janë evakuuar në fluturimet e organizuara nga SHBA vetëm në 24 orët e fundit, tha Blinken. Ai shtoi se janë shtuar avionët transportues.
"Vetëm Shtetet e Bashkuara mund të organizojnë dhe zbatojnë një mision të kësaj shkalle dhe të këtij kompleksiteti," u tha ai gazetarëve në Uashington.
Rreth 1.500 shtetas amerikanë mund të jenë ende në Afganistan dhe administrata amerikane po bën përpjekje shteruese për t’i gjetur ata, tha Sekretari i Shtetit.
CIA dhe ushtria amerikane po kryejnë operacione klandestine për të nxjerrë amerikanët duke përdorur helikopterë dhe trupa tokësore, thanë zyrtarët amerikanë për Wall Street Journal.
Operacionet e rrezikshme kanë qenë brenda dhe jashtë Kabulit, thotë gazeta prestigjioze.
Pentagoni ka thënë se 10.000 njerëz janë ende duke pritur të evakuohen nga aeroporti i Kabulit me avionë amerikanë. Ekziston frika për mijëra afganë të tjerë të cilët janë të dëshpëruar të largohen, por nuk mund të shkojnë dot në aeroport.
BBC tha se shumë nga ata që u kthyen nga talebanët në portat e aeroportit, kishin dokumente udhëtimi.
Foto: Reuters





