Transmetuar më 26-08-2021, 12:00

Kur flet Pep Guardiola, nuk është kurrë banal. Dhe siç shpjegon “AS”, kjo ndodh pothuajse kurdo. Si mysafir i kompanisë braziliane “XP Investimento”, trajneri i Manchester City foli për biznesin, ekonominë, por edhe futbollin.

Një nga pyetjet e shumta kishte të bënte me mundësinë që katalanasi, herët a vonë të mund të ulet në stolin e një ekipi të madh kombëtar. Referenca ka të bëjë me faktin se Guardiola shpesh përmendet si pasues i Tite në krye të “arit të gjelbër”, Brazilit.

Sidoqoftë, së pari, atij do t’i duhet të bëjë pushim, siç e konfirmon edhe vetë: "Një ekip kombëtar do të jetë hapi tjetër. Por, së pari më duhet të pushoj pas shtatë vitesh te Manchester City, duhet të ndihem rehat dhe të shkoj të studioj, të mësoj nga trajnerët e tjerë dhe pastaj ndoshta ta marr këtë rrugë, në Kampionatin Europian, në Kupën e Americkës ose Kupën e Botës".

Një mesazh që do të thotë shumë gjëra; se trajneri katalanas synon ta finalizojë marrëveshjen me Manchester City, që skadon më 2023. Me skadimin e saj, sipas të gjitha gjasave ai do të marrë pushim, në pritje të eksperiencës me një kombëtare. Pra, shumë klube që ëndërrojnë ta kenë në stol, mund të zhgënjehen…

Guardiola shpjegoi se nuk ka një ide të saktë se cilën kombëtare të trajnojë, por është e vështirë për të që ta imagjinojë veten si trajner të një skuadre "aq të rëndësishme sa Brazili", edhe sepse verdhëjeshilët nuk ka pasur kurrë një trajner jo brazilian.

Gjithsesi, katalanasi ka vetëm komplimente për Tite dhe kombëtaren e tij: "Brazili ka një ekip fantastik, disa lojtarë kanë luajtur në të njëjtat klube, të tjerët kanë qenë kundërshtarë, por ne po flasim për një kombëtare të mrekullueshme. Selecao është vazhdimisht një nga favoritët kryesorë në çdo kompeticion ndërkombëtar. Ka qenë gjithmonë kështu dhe gjithmonë do të jetë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd