Transmetuar më 25-08-2021, 13:06

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë të ditur të mërkurën se javën e ardhshme, pritet të publikohen emrat e kabinetit të ri qeveritar me të cilin PS do të qeverisi gjatë mandatit të saj të tretë. "Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme" tha zoti Rama në mbledhjen e qeverisë.

"Kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për shumë role dhe kampionati 4-vjeçar kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, por edhe një stol rezervash të gjatë për të pasur në vijimësi mundësi për energjizim të skuadrës" shtoi ai. "Prioritet i Shqipërisë së vitit 2030 do të jetë kthimi i trendit negativ të largimeve në raport me kthimin në atdhe," tha zoti Rama.

Kryeministri shqiptar shprehu mirënjohjen e tij për anëtarët e kabinetit aktual. "Me shumë mirënjohje për të gjithë ju, bashkëpunimin që secili prej jush dha në këtë qeveri, ju falenderoj edhe njëherë për të gjithë këtë periudhë sfiduese kohe. Ishte një nder për të gjithë ne" u shpreh zoti Rama.

Ai tha se është krenar pasi mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd