Transmetuar më 25-08-2021, 00:53

Efektiviteti i vaksinave Pfizer dhe Moderna kundër Covid-19 ka rënë nga 91% në 66% që kur varianti Delta u bë dominues në SHBA, sipas të dhënave të publikuara sot nga autoritetet shëndetësore amerikane.

Këto të dhëna vijnë nga një studim që përfshin mijëra punonjës shëndetësorë dhe punonjës të tjerë spitalesh në gjashtë shtete, i kryer për të ekzaminuar performancën e vaksinave në jetën reale.

Pjesëmarrësit u kontrolluan çdo javë për infeksione simptomatike dhe asimptomatike. Pothuajse të gjithë punonjësit shëndetësorë të vaksinuar ishin vaksinuar me vaksinat Pfizer ose Moderna.

Nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, efektiviteti i vaksinave në parandalimin e infeksionit ishte 91%, sipas të dhënave të publikuara nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore federale e shëndetit publik në vend.

Sidoqoftë, gjatë javëve që varianti Delta u bë dominues, domethënë kur ishte përgjegjës për më shumë se 50% të rasteve, efektiviteti ra në 66%.

Autorët e studimit vërejnë, megjithatë, se kjo ulje mund të jetë shkaktuar jo vetëm nga varianti Delta, por edhe nga një efikasitet që bie me kalimin e kohës.

"Këto të dhëna të ndërmjetme sugjerojnë një ulje modeste të efektivitetit të vaksinave Covid-19 në parandalimin e infeksionit. Por, fakti që zvogëlimi i infeksioneve mbetet në 66% nënvizon rëndësinë dhe përfitimin e vazhdueshëm të vaksinimit," vërejnë autorët e këtij studimi.

Të dhënat e publikuara sot nuk ndryshojnë midis efikasitetit të vaksinës Moderna dhe asaj të Pfizer.

Kjo ulje e efikasitetit kundrejt variantit Delta është vërejtur nga studime të ndryshme, edhe pse vlera e saktë ndryshon nga njëri në tjetrin.

Kjo është një nga arsyet pse autoritetet shëndetësore javën e kaluar njoftuan një fushatë vaksinimi përforcuese në mes të shtatorit për të gjithë të rriturit amerikanë që morën dozën e tyre të dytë tetë muaj më parë.

Autoritetet këmbëngulin se mbrojtja nga vaksina kundër rasteve serioze të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjes, megjithatë, mbetet e lartë.

Një studim tjetër i botuar sot nga CDC, i kryer mbi pacientët në Los Angeles, nga fillimi i majit deri në fund të korrikut, zbuloi se të pavaksinuarit kishin 29 herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital sesa ata që ishin vaksinuar.

Delta u bë dominuese në Shtetet e Bashkuara në fillim të korrikut dhe tani është përgjegjëse për mbi 98% të infeksioneve jo vetëm atje, por edhe në Evropë, sikurse Shqipëri dhe Kosovë.