Transmetuar më 25-08-2021, 08:30

Nga Dom Gjergj Meta

DUAM TË LUFTOJMË KRIMIN E ORGANIZUAR? Atëherë duhet aleancë shtet-qytetari në emër të ligjshmërisë. Kjo kërkon që shteti t’i presë rrënjët e krimit tek vetvetja, ndërsa qytetarët të edukohen e ndërgjegjësohen me ligjin dhe të drejtën, duke mos ushqyer mentalitetin e më të fortit tek fëmijët dhe të rinjtë e tyre.

Aleanca e shtetit me krimin dhe e qytetarisë me më të fortin pjell sundimin e paligjshmërisë, kaosin dhe ankthin në jetën shoqërore. Krimit nuk i duhet pranuar asnjë nder, asnjë votë, asnjë qindarkë, asnjë dhuratë, sepse të mban të lidhur përgjithmonë, qoftë edhe me një fije të hollë.

Ligjshmëria kushton mund dhe sakrifica, ashtu sikurse u kushtoi Borselino-s dhe Falcone-s, por ama përkushtimi ndaj ligjshmërisë është drita jeshile drejt një shoqërie të denjë dhe të drejtë. Ne jemi ende në shpërgenjt e një reforme në drejtësi, por që do të dështojë nëse përkrah ka një shtet të lidhur me krimin dhe një qytetari justifikuese të modelit të më të fortit.

Nuk është (nuk mund të pretendojë) shteti i vetmi që e lufton krimin, nuk mundet. Do të dështojë nëse mendon se nuk ka nevojë për qytetarët (cives). Qytetarët nuk do të jenë kurrë të qetë nëse ia delegojnë shtetit krejt përgjegjësinë e tyre qytetare për të denoncuar apo më keq duke ushqyer krimin me heshtjen dhe indiferencën e tyre. Shteti dhe qytetarët nuk janë armiq, nuk janë anët e një dialektike ku njëri urdhëron ose ndëshkon, kurse tjetri bindet ose pëson. Ky do të ishte komunizëm, ku shteti mendonte për gjithçka dhe mbante vendin me spiunë.

Një shoqëri e jetushme demokratike bëhet kur shteti dhe qytetarët e konsiderojnë veten si të njëri-tjetrit. Duhet të dalim nga mendësia komuniste e shtetit si ndëshkues apo gjithkontrollues i shoqërisë, aq më keq si armik. Shteti duhet të heqë dorë nga mendësia e shtetit-parti, ku partia di gjithçka dhe sillet me arrogancë.

Kapilariteti i qytetarisë ndihmon shtetin në detyrën e tij për të garantuar rendin dhe demokracinë. Kjo sipas mendimit tim është rruga e vetme për të luftuar krimin e organizuar që është një gangrenë e jetës tonë shoqërore.