
Mesfushori i Liverpool, Xherdan Shaqiri, ka përfunduar transferimin e e tij te Lyon në Francë, falë një marrëveshjeje 3-vjeçare. Shqiptari i kombëtares së Zvicrës e ndërron Premier League me Ligue 1, pas një periudhe 3-vjeçare, që e pa atë të fitonte çmimet vendase, europiane dhe botërore në “Anfield”.
Tani ai arrin në “Groupama Stadium”, me një kontratë deri në qershor 2024, duke i dhënë fund eksperiencës 6-vjeçare në Angli, që veç Liverpool-it përfshin edhe periudhën 3-vjeçare me Stoke City. Liverpool e kishte refuzuar ofertën fillestare të Lyon, që mendohej se ishte vetëm 4 milionë paund, në fillim të këtij muaji, me burime që e përshkruan atë ofertë si “qesharake”.
Sidoqoftë, vendosmëria e drejtorit sportiv të Lyon, Juninho Pernambucano, dhe e trajnerit Peter Bosz për të arritur objektivin e tyre kryesor veror ka nënkuptuar, pas negociatave të gjata, sforcim për arritjen e marrëveshjes.

"Olympique Lyon është i kënaqur që më në fund ka arritur një marrëveshje në parim me Liverpool-in për transferimin e mesfushorit Xherdan Shaqiri”, – thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të Lyon-it, pas konfirmimit të lëvizjes.
Liverpool më vonë e konfirmoi lajmin, duke shtuar: "Xherdan Shaqiri ka përfunduar sot transferimin e përhershëm te Lyon, pas tri vitesh me klubin tonë. Të gjithë te Liverpool e falënderojnë Xherdanin për kontributet e tij gjatë tri sezoneve të fundit dhe i urojnë më të mirën në pjesën tjetër të karrierës".
Shaqiri largohet me 63 paraqitje për klubin e “Reds”, me të cilin u bashkua nga Stoke më 2018. Aty fitoi një Ligë Kampionësh, Superkupën e Europës, Botërorin për Klube dhe titullin e Premier League.





