Transmetuar më 23-08-2021, 14:01

Ylli i Bayern Munich, Joshua Kimmich, ka nënshkruar një kontratë të re 4-vjeçare në “Allianz Arena”. Kimmich fillimisht u bashkua me bavarezët nga RB Leipzig si adoleshent në vitin 2015, por qysh atëherë është bërë një nga mesfushorët më të mirë në Gjermani.

26-vjeçari sapo kishte hyrë në dy vitet e fundit të marrëveshjes së tij aktuale, me kampionët e Bundesligës që janë përpjekur “ta lidhin” atë me kushte të reja, të cilat do ta mbajnë në “Allianz Arena” të paktën në vitin 2025.

Kimmich shprehu kënaqësinë e tij, pasi zyrtarizimi i rinovimit u bë të hënën, duke i thënë faqes zyrtare të klubit: "Arsyeja më e rëndësishme për zgjatjen e kontratës sime është se këtu te FC Bayern mund ta shijoj pasionin tim çdo ditë.

Unë jam në një ekip me të cilin mund të arrij gjithçka, shumë shokë të skuadrës janë bërë miq të vërtetë. Kjo është arsyeja pse fillova të luaj futboll në radhë të parë, sepse dua të argëtohem.

Nuk e shoh veten ende në fund të zhvillimit, jam i bindur se shumë gjëra janë të mundshme me FC Bayern në vitet e ardhshme. Përveç kësaj, familja ime ndihet shumë rehat këtu. Mynihu është bërë një shtëpi e dytë. Kombinimi që kemi këtu nuk mund të gjendet askund në botë".

Drejtori sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, shtoi: “Me këtë zgjatje të kontratës, FC Bayern po dërgon një sinjal të qartë si brenda, ashtu edhe jashtë. Ne duam të nënshkruajmë me lojtarët tanë më të mirë në planin afatgjatë.

Joshua Kimmich do të zhvillojë cilësitë e tij të mëdha si një lojtar kryesor te FC Bayern në vitet e ardhshme. Sigurisht, do të bëjë histori. Ai është një futbollist i klasit botëror, me një mentalitet të jashtëzakonshëm dhe si profesionist e njeri ofron gjithçka që e ka dalluar gjithmonë FC Bayern".

Kimmich ka luajtur 264 ndeshje në të gjitha garat për Bayernin deri më sot. Ndërkombëtari gjerman gjithashtu ka regjistruar 30 gola dhe 73 asiste, ndërsa e ka ndihmuar klubin të fitojë 17 trofe, përfshirë 6 tituj të Bundesligës dhe Ligën e Kampionëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd